VIDEO/ TEC Vlorë jep ambiente shfrytëzimi pa kontratë për kompanitë ‘Excelerate Energy’ dhe ‘Renco’.

21:58, 17/05/2024
A+ Aa A-

 

Çdo ditë që kalon nxjerr zbuluar qeverinë se kontraktimi i dy teceve lundruese për të zgjidhur krizën e energjisë elektrike, ishte vetëm një truk për të kaluar paratë te një firmë private e regjistruar në shtetin Delaware. Parajsa fiskale ku është e pamundur të gjendet pronari i vërtetë!

Anijet u blenë kundrejt një vlere prej 15 milion dollarësh dhe KESH do të paguajë 45.5 milion dollarë për qiranë e tyre dhe 25.5 milion për operimin për firmën italiane Renco. Por dhe pse patën një marrëveshje kaq të njëanshme, kompanitë nuk ishin të afta që të sillnin anijet dhe t’i vinin në punë brenda afatit të krizës së energjisë.

 Po nëse i sjellin tani, mund të na ndihmojnë? Aspak, sepse çmimet e energjisë elektrike jo vetëm janë normalizuar, por kanë arritur në intervalin mes 70 deri në 80 euro për megavat orë. Madje fundjavën e kaluar, vendosën rekord duke kapur vlerën 8 euro për megavat orë. KESH ka arritur të gjejë energji këtë javë dhe me çmimin 50 euro për megavat orë. Por pavarësisht kësaj, Korporata duket e vendosur që të marrë në dorëzim anijet ku do të paguajë si qira 63 mijë dollarë në ditë plus kostot e mazutit për të prodhuar energji elektrike. Sipas një analize që ka bërë Kontrolli i Lartë i Shtetit çmimi i energjisë së prodhuar nga anijet del 268 euro për megavat orë, 4 herë më i shtrenjtë se të blesh energji në import. KESH ka marrë përsipër kostot e zhdoganimit të anijeve, vajit lubrifikues dhe nxjerrjes së lejeve, licencave, autorizimeve dhe marrjes me qira të depozitave të lëndëve djegëse. Për të gjitha këto janë shpenzuar dhe 9.4 milion euro të tjera. Por kompanitë Excelerate dhe Renco, janë treguar edhe më të pangopura. Renco për shembull është vendosur me zyra në ambientet e Termocentralit të Vlorës dhe ushtron përditë aktivitetin pa paguar qira!

 Ku edhe punonjësit Brenda ambienteve të termocentralit pranojnë se zyrat e këtyre kompanive private ndodhen në ambientet e TEC-it.

Që Renco ndodhet në ambientet e termocentralit, kjo nuk ka dyshim. Por cila eshte arsyeja që ndodhet aty?

 Për këtë kontaktojmë drejtorin e TEC-it Vlorë zotin Besnik Këndezi. I cili thotë se këto dy subjekte private ndodhen në ambientet e TEC Vlorë në bazë të një marrëveshje që ka bërë ministria me kompanitë. Ai thotë se në ato ambiente janë vetëm vendqëndrimi I tyre dhe jo pjesa administrative.

Sipas kontratës së firmosur mes Korporatës Elektroenergjitike, Excelerate Energy dhe Rencos, KESH merr përsipër të lehtësojë aksesin në kantier, të sigurojë të drejtat e nevojshme për instalimin e objektit, të sigurojë tokë për modifikimin e centralit, të siguroë akses në magazinën, punishten dhe centralin e Tecit dhe të koordinojë punën me rrjetin e elektrik, por jo të japë ambiente pa qira për zyra, siç është rasti i Rencos.

Sepse në shumë kontrata të ngjashme ku privati asiston institucionet, qiraja paguhet. Raste të tjera janë konsideruar shkelje, sic është gjetja e KLSH dhe SPAK për kontratën e sterilizimit. Por shkeljet nuk përfundojë këtu! Excelerate dhe Renco, dy kompani që u shitën nga zyrtarët tanë si prestigjioze dhe me emër, duket se janë shqiptarizuar më shpejt se duhet.

Si në rastin për punimet e anijeve dhe infrastrukturës ndihmëse, ku duhet që të merrej një leje pranë Këshillit Kombëtar të Territorit. Leja u miratua më 27 korrik 2022 me kushtin që të plotësohej dokumentacioni tekniko-ligjor dhe të paguhej taksa në infrastrukturë.

Në bazë të ligjit, Vetëm pasi kryen këto detyra dhe paraqet kërkesën në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit leja e ndërtimit jepet dhe mund të nisësh punimet. Por nga dokumenti i siguruar në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit leja e ndërtimit rezulton të jetë lëshuar më 18 prill të këtij viti, gati një muaj më parë.

Thënë shkurt e qartë, çdo punim i kryer në këtë periudhë nga Exelerate dhe Renco ka qenë pa leje, vepër e cila dënohet nga kodi penal me gjobë ose burgim deri në 5 vjet. Dhe për ta mbyllur me fund të lumtur këtë aferë që duket se ka nga pas edhe hijen e SPAK-ut me pajisjen me leje dhe kalimin e testimit, KESH do të nisë dhe komisionimin e Teceve dhe do të paguajë qiranë për dy asete që më së shumti do të rrinë fikur dhe do të djegin 68 milion dollarë.

Fundja drejtoret e KESH ikin e vijnë, Anijet gjenerator rrinë aty te palëvizura si relike qe do na tregojnë për shume vite se çfarë do te thotë korrupsion i hapur ne sy te të gjithë shqiptareve.

EMISIONI I PLOTE:

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco