Dita e Europës/ Berisha: Me Edi Ramën, integrimi evropian u shndërrua në një horizont që largohet nga viti në vit

Dita e Europës/ Berisha: Me Edi Ramën, integrimi evropian u shndërrua në një horizont që largohet nga viti në vit

20:26, 09/05/2024
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, ka folur për 9 majin, ditën e Europës.

Sipas tij, deri në vitin 2013, rruga e Shqipërisë ishte drejt BE-së, por pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, integrimi evropian u shndërrua në një horizont që largohet nga viti në vit.

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Mirënjohje të pakufishme ndaj jush qëndrestare dhe qëndrestarë të lirisë, dinjitetit dhe shpresës.

Të dashur miq, sot për popujt e vendeve anëtare të BE është Dita e Europës, dita e themelimit në vitin 1950 të ëndrrës më të bukur të kombeve evropiane, ëndrrës më të magjishme, më të mrekullueshme të historisë së Europës, bashkimit të tyre në BE.

Kjo ëndërr vinte nga aspiratat për liri, paqe dhe dinjitet të kombeve evropiane.

Me këtë ëndërr u zgjuan të rinjtë shqiptarë në vitin 1990 dhe moton ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa’ e bënë moton e revolucionit demokratik të tyre.

Kjo rrugë, rruga e integrimit të Shqipërisë në BE nuk ishte një rrugë e thjeshtë pasi Shqipëria dilte nga diktatura oruelliane, më e egër që Europa kishte njohur ndonjëherë.

Megjithatë, miqtë e mi, në vitet 2005-2013 shqiptarët dhe Shqipëria ecën normalisht në këtë rrugë.

Firmosën Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, e ratifikuan atë nga 27 vende, dorëzuan kërkesën për vend anëtar në BE.

Liberalizuan vizat, plotësuan të gjitha kushtet për statusin e vendit kandidat.

Por me ardhjen në pushtet të Edi Ramës, me muret që filloi të ngrejë që në fillim të vjedhjes së shqiptarëve, me kanabizimin e vendit dhe shndërrimin e Shqipërisë në Kolumbinë e Europës, me zëvendësimin e shtetit ligjor me narkoshtetin e vetëm në Evropë, me shkatërrimin e institucioneve dhe sistemit të drejtësisë, e bëri Shqipërinë një vend që varfërohej nga viti në vit.

Një vend të pajetueshëm për shqiptarët.

E bëri Shqipërinë një protektorat të krimit, të drogës.

Asgjësoi votën e lirë me mekanizmin e shndërrimit të votës në krim dhe krimit në votë.

Për të gjitha këto miqtë e mi, integrimi evropian u shndërrua në një horizont që largohej nga viti në vit dhe hapja e negociatave u shty jo një herë, por u shty pesë herë përpara vendimit për hapjen në parim dhe tre herë të tjera pas këtij vendimi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco