BIRN: Arben Ndoka, simbol i krimit që solli në pushtet socialistët në 2013-ën

BIRN: Arben Ndoka, simbol i krimit që solli në pushtet socialistët në 2013-ën

10:02, 20/05/2024
A+ Aa A-

BIRN

Vrasës me pagesë të përfshirë në atentate për kontroll territori, oficerë policie të angazhuar në struktura kriminale, një ish-deputet i shpallur në kërkim dhe figura të njohura më herët për angazhime politike u vunë në shënjestër të një operacioni të gjerë të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila u ndihmua nga Europol dhe Eurojust dhe nga autoritetet ligjzbatuese të Holandës, Belgjikës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Spanjës e Greqisë.

Në atë që mund të konsiderohet si goditja më e fortë kundër krimit të organizuar në Shqipëri, SPAK bëri të ditur se shtatë grupe të ndryshme kriminale të përfshira në armiqësi apo në aleanca me njëra-tjetrën dhe që kishin baza aktiviteti në Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen, u goditën falë informacioneve të siguruara nga aplikacionet Sky ECC dhe EncroChat, dy aplikacione celularësh që besohej se ofronin komunikim të sigurt dhe që ishin popullore për figurat e krimit të organizuar, por që serverat e të cilave, bashkë me të dhënat, u sekuestruan nga autoritetet franceze në vitin 2020.

“Operacioni i drejtuar nga SPAK dhe i dakortësuar me Europol më datë 17 maj 2024,  zgjati për rreth 20 orë, ku u angazhuan afërsisht 30 hetues të BKH-së, forcat RENEA, Policia e Shtetit, si dhe Europol i cili caktoi një Oficer pranë SPAK për të mbështetur këtë Operacion. U kryen veprime hetimore në qytetet e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Lezhës, Rrëshenit, Kurbinit, Fushë-Krujës dhe Krujës. Gjatë këtyre veprimeve hetimore u ushtruan kontrolle në rreth 50 ambiente banimi,” bëri të ditur SPAK në një njoftim zyrtar.

Pasuri me vlerë rreth 4.5 milionë euro u sekuestruan, përfshirë gati 1 milionë euro në para të thata, orë me vlerë rreth gjysmë milion euro apo gjysmë milion euro të tjera automjete, pesë prej të cilave ishin të blinduara.

Katërmbëdhjetë persona u arrestuan në Shqipëri gjatë  operacionit, ndërsa gjashtë të tjerë u arrestuan në Itali, Gjermani, Spanjë dhe Belgjikë.

SPAK bëri të ditur se shumë episode kriminale, përfshirë vrasje, tentativa për vrasje, bomba, kultivim apo trafikim droge e të tjera, janë zbardhur.

Hetimet kanë zbuluar se grupe të ndryshme kriminale, në armiqësi me njëra-tjetrën, kanë bërë aleanca dhe kanë rekrutuar vrasës me pagesë për të hequr qafe njëri-tjetrin. Konfliktet duket se kanë lindur në lidhje me kontrollin e territorit në kultivimin dhe trafikun e drogës dhe industrinë e bixhozit.

Një shef policie, i cili ka punuar si drejtor në Lezhë dhe që prezantohet me inicialet H.M., sipas SPAK, drejtonte prodhimin e drogës në Lezhë e Shkodër si dhe, në bashkëpunim me P.Gj., ka organizuar “aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës.”

“Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi E.M., i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi A. N.”, bëri të ditur SPAK. Sipas burimeve, E.M. janë inicialet e Ervis Martinaj, një figurë e krimit të organizuar i cili rezulton i zhdukur që nga gushti i vitit 2022. SPAK i referohet personit tjetër si “ish-deputet me inicialet A.N.”

Arben Ndoka, ish-deputet i Partisë Socialiste është njeriu që u bë simbol i kriminalizimit të politikës pas zgjedhjeve të vitit 2013, të cilat sollën në pushtet Partinë Socialiste. Ndoka ishte i treti në listën e kandidatëve socialistë për qarkun Lezhë, qarku ku PS mori dy mandate ndërsa ai hyri në parlament vetëm pasi tre gra në listë dhanë dorëheqjen.

Grupi kriminal i drejtuar prej tij dyshohet nga prokurorët se ka rekrutuar në bashkëpunim me grupin e Martinajt vrasës me pagesë në Fushë-Krujë dhe Burrel. Një prej shënjestrave të grupeve, thotë SPAK, është shtetasi D.B., iniciale që duket se i referohen Durim Bamit, i cili u bë emër i njohur për publikun në vitin 2018 kur ish-deputeti Tom Doshi akuzoi Ilir Metën se kishte porositur ta vriste. Bami u dënua në atë rast për kallëzim të rremë. Bami besohet se është jashtë Shqipërisë. Ai akuzohet nga SPAK se në bashkëpunim me një oficer të forcave speciale policore, RENEA ka organizuar kultivimin e drogës në zonën e Niklës dhe Tapizës.

Sipas SPAK, Bami dhe grupi i dyshuar kriminal i Fushë-Krujës, duke qenë në konflikt me grupet kriminale të Ervis Martinajt dhe Arben Ndokës, bëri një aleancë me një grup tjetër kriminal të njohur si vëllezërit Duka nga Shijaku. Synimi i aleancës, thotë SPAK, ishte vrasja e kundërshtarëve. Kundërshtarët e tij rekrutuan Emiljano Shullazin, i  cili, pavarësisht se gjendej në paraburgim, ishte në gjendje të ndihmonte sipas SPAK Ndokën dhe Martinajn për organizimin e vrasjes së Durim Bamit.

“Hetimi ka nxjerrë në pah se, këto grupe kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash me qëllim realizimin e vrasjes të kundërshtarëve të tyre. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon gjithashtu një shkallë shumë të lartë organizimi dhe rrezikshmërie shoqërore,” thotë SPAK.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco