Mesazhi i Monika Kryemadhit në nisje të Konventës së Partisë të Lirisë

Mesazhi i Monika Kryemadhit në nisje të Konventës së Partisë të Lirisë

10:33, 27/04/2024
A+ Aa A-

Nga Monika Kryemadhi.

Të dashur delegatë të Konventës Kombëtare të Partisë së Lirisë ju ftoj të lexoni propozimet e mija për statutin, të cilat synojnë mbështetjen e grave dhe garantimin që mundi juaj ndër vite të mos nëpërkëmbet:

PROPOZIMI 1:
Propozoj që buxhetimi i fushatave të grave kandidate të jetë garanci statutore, duke propozuar formulimin: “Nga nisja e periudhës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare dhe ato vendore, 30% e gjithë buxhetit të partisë do të vendoset në dispozicion të kandidateve gra në të gjithë vendin. Rregullat për shpërndarjen e këtyre fondeve tek kandidatet gra, si dhe deklarimi i shpenzimeve në respektim të legjislacionit në fuqi, vendoset me udhëzim të kryesisë së PL. Gruaja kandidate është e pavarur nga partia për ta disponuar këtë fond sipas nevojave të fushatës së saj.” Ky propozim vjen nga eksperienca e gjatë dhe problematikat e hasura për rritjen e hapsirave dhe pavarësisë së grave në jetën politike brenda partisë politike si dhe në fushatë elektorale.

PROPOZIMI 2:
Zëvendësimi i dispozitave të parashikuara në nenin 7.10 të Statutit, si dispozita në kufijtë e shkeljes së kuadrit ligjor që rregullon të drejtat politike dhe lirinë e shprehjes së shtetasve në republikën e Shqipërisë, e që nuk gjejnë vend në frymën e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, me parashikimin për mënjanimin e konfliktit të interesit brenda partisë:

“1. Anëtari i PL, nuk mundet të propozojë për anëtarësim në forumet drejtuese të partisë në të gjitha nivelet, individë me të cilët ka konflikt interesi. Në kuptimin e këtij neni, marrëdhëniet me konflikt interesi përfshijnë por pa u limituar tek ato familjare, shoqërore, të biznesit, të punësimit aktual apo të mëparshëm, të fqinjësisë. Propozuesi, as nuk merr pjesë në votim për zgjedhjen në organet drejtuese të PL të një individi me të tilla marrëdhënie.

1.1. Ky rregullim zbatohet edhe për individët që Partia e Lirisë do të propozojë si përfaqësues të saj në role të ndyshme në pushtetin legjislativ, si dhe në pushtetin ekzekutiv gjatë gjithë periudhës qeverisëse të Partisë së Lirisë.

2. Marrëdhëniet e punësimit në PL, apo të emërimit në detyrë, nuk mund të lidhen ndërmjet dy individëve me marrëdhënie konflikti interesi. Në raste të tilla, eprori duhet t’a deklarojë këtë marrëdhënie në kryesinë e PL, e cila miraton emërimin me shumicë të thjeshtë.”

Shpresoj që propozimet e dorëzuara prej meje për statutin të gjejnë mbështetjen e delegatëve të Konventës. Do ta bënte partinë mbështetëse REALE të grave me mendim të lirë, si dhe të mënjanonte gabimet e së kaluarës të LSI në qeverisje.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco