Lajmi i fundit

KUSH PAGUAN/ Profesionistët e lirë, sa do paguajnë tatim-fitim?

VIDEO/ Gazetarja: Kompania ‘5D Konstruksion’ është përfshirë dhe në procesin e rindërtimit

VIDEO/ Gazetarja: Kompania ‘5D Konstruksion’ është përfshirë dhe në procesin e rindërtimit

20:43, 18/04/2024
A+ Aa A-

Nga Ola Xama

Kompania ‘5D Konstruksion’ është përfshirë dhe në procesin e rindërtimit. Në kohën që ka mbajtur emrin tregtar “VAS Konstruksion” është kontraktuar në dy procedura për demolimin e 22 pallateve ku totali i kontratave kap vlerën 600 mijë euro. Skema është e njëjtë: një nga pronarët e saj, Mariglen Qato, mbante postin e drejtorit të Inspektoritatit të Mbrojtjes së Territorit, ndërsa Redi Molla ishte administrator i Tirana DC, kompanisë së Bashkisë Tiranë me përgjegjësi në zhvillimin e ndërtesave të rindërtimit.

Tirana DC u krijua pas tërmetit për të ndihmuar procesin e rindërtimit dhe për të menaxhuar pronat e qytetit (Bashkisë Tiranë). Por ndryshe nga qëllimi i saj tregtar që ka patur për të çuar fitime te shteti, ka ndodhur e kundërta. Bashkia i ka dhënë 3.6 milion euro transferta nga buxheti, pasi të ardhurat e shoqërisë në vitet 2020, 2021 dhe 2022 janë 0.

Nga këto para paguhen zyra me qira, 30 punonjës, blihen pajisje, karburant, makina dhe askush nuk e di se çfarë pune bëjnë dhe çfarë vlere sjell kjo firmë për taksapaguesit e qytetit. Ajo që dihet është se ekonomiciteti, ashtu siç është shënuar në bilance është negativ prej 3 vitesh.

Tirana DC është një tjetër makineri që vjel fonde dhe i çon ato në xhepat e personave të lidhur me ata që drejtojnë bashkinë. Në prill të vitit 2021 administratori i saj Redi Molla, përzgjedh fitues të tenderit për marrjen me qira të 6 automjeteve, ortakun e tij te hoteli në Durrës Gazmend Haxhia. Haxhia është pronar i firmës “ASG sh.p.k.” që  është shpallur fituese për marrjen me qira të mjeteve dhe zotëron 27% të aksioneve te hoteli "Mediterranean Investment Group". Qiraja për 3 vjet e makinave kushton 200 mijë euro dhe pas disa muajsh, mjetet do të duhet t’i kthehen qiradhënësit.

Rindërtimi nuk është kthyer vetëm në një grabitës të parave publike, por dhe të pronës private ku përditë banesa dhe pallate shpallen të pabanueshme sepse investitorë privatë kërkojnë të marrin tokën për ndërtime kullash. Në Kronos sot kemi trajtuar historinë njerëzore të banorëve në rrugën 'Ferit Xhajko' që presin shembjen e pallatit nga dita në ditë dhe mungesën e bonusit të qirasë për ata të rrugës 'Myslym Keta'. Në fund tregohet historia e familjeve në lagjen ‘5 Maji’, banesat e të cilëve u prishën në emër të rindërtimit, por dy vjet më pas ndërtimi jo vetëm nuk ka nisur por rrënojat e shtëpive të tyre ende nuk janë pastruar.

Kemi vendosur ta quajmë ‘Rindërtimi, një shkatërrim nga shteti!”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco