SHËNIM/ Arresti i Berishës nuk është masë sigurimi, por 'ndëshkim'

SHËNIM/ Arresti i Berishës nuk është masë sigurimi, por 'ndëshkim'

11:33, 23/12/2023
A+ Aa A-

Dyshja Edi Rama - Lulzim Basha, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Parlament dhanë autorizimin për aplikimin e asaj që Prokuroria e Posaçme e konsideron si shtrëngim të masës së sigurimit për kryetarin e Partisë Demokratike, deputetin Sali Berisha.

Sipas SPAK-ut, Berisha duhet të vendoset në masë arresti, pasi ai nuk ka pranuar të zbatojë masën e sigurimit “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim për dalje jashtë shtetit” të vendosur nga Gjykata e Posaçme dhe për të cilën kryedemokrati e ka konsideruar antikushtetuese, pasi u injorua Parlamenti.

Kërkesa e prokurorëve Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai duket qartësisht që nuk është aplikimi i masës së sigurimit, por ndëshkimi i Berishës se përse nuk zbatoi vendimin antikushtetues.

Kjo është shkelja e parë dhe më kryesore e dyshes politike Rama-Basha, si edhe prokurorëve specialë. Jurisprudenca e Strasburgut e ka theksuar më shumë se një herë që masat e sigurimit aplikohen për nevojat e hetimit dhe jo si një masë ndëshkuese për personat nën hetim.

Nga ana tjetër, Kodi i Procedurave Penale parashikon se masat e sigurimit, përfshirë edhe shtrëngimi i tyre aplikohet në rastet kur personi nën hetim ka rrezik largimi për t’iu shmangur drejtësisë, kur mund të prishë provat ose kur mund të kryejë një vepër penale të ngjashme me atë që i atribuohet ose më të rëndë.

Në rastin e Berishës, edhe vetë prokurorët e SPAK-ut janë të bindur se kryedemokrati nuk cenon asnjë prej tre kritereve që parashikon ligji për masat e sigurimit.

Këtë e pranoi edhe prokurori Kraja në seancën e Këshillit Parlamentar të Mandateve dhe Imuniteve, ku u shqyrtua kërkesa e SPAK për dhënie autorizimi për aplikimin e masave të sigurisë arrest me burg/arrest në shtëpi për Sali Berishën.

“Berisha nuk është fshehur, pasi ai është çdo ditë në media dhe në televizion”, deklaroi prokurori Kraja para Këshillit.

Pra, kriteri i parë dhe më kryesor i shtrëngimit të masës së sigurimit, ai i largimit apo fshehjes nga drejtësia nuk plotësohet, siç e pranon edhe vetë prokurori i SPAK-ut.

Po ashtu, Berisha, si një deputet i thjeshtë, nuk ka asnjë mundësi reale që të prishë apo tjetërsojë provat e pretenduara nga SPAK-u, të cilat janë Vendime të Këshillit të Ministrave, të bëra publike në kohën e miratimit të tyre dhe që tashmë menaxhohen në arkivin e kryeministrisë, nën kontrollin e Edi Ramës dhe Ëngjëll Agaçit.

Gjithashtu, SPAK-u pretendon se Berisha mund të ketë kryer korrupsion gjatë kohës që ka qenë kryeministër. Pikërisht, për faktin që sot është kryetari i opozitës, ai nuk ka asnjë mundësi teorike e praktike për të kryer vepra penale të ngjashme, si ato që i atribuon SPAK-u.

Pra, edhe kriteri i tretë për forcimin e masës së sigurimit, ai kryerjes së një vepre të ngjashme për të cilën po heton prokuroria, korrupsionit, rrëzohet lehtësisht, pasi Berisha nuk ka asnjë pushtet ekzekutiv në menaxhim.

Ndaj, duket qartë se forcimi i masës së sigurimit për Berishën është në formën e ndëshkimit, një veprim që bie tërësisht ndesh me konventat ndërkombëtare dhe me praktikën e Gjykatës së Strasburgut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco