SYRI TV/ Gramoz Sako i Gardës dhunon deputetët, vëllai i Sakos rrit miliardat nga shteti

14:49, 16/12/2023
A+ Aa A-

Ka një lloj rastësie interesante mes dhunës që gardistët e drejtuar nga Gramoz Sako ushtrojnë mbi deputetët opozitarë në parlament dhe sasisë së tenderëve publikë që fiton kompania e familjarëve të shefit të Gardës. Sa më shumë të dhunshëm bëhen gardistët e Sakos, aq më tepër miliarda shkojnë në llogaritë e kompanisë “2T” shpk.

Nga SYRI TV

Prej shtatorit të këtij viti, deputetët e Partisë Demokratike kanë nisur mosbindjen civile në Parlament, si një formë reagimi ndaj maxhorancës së Edi Ramës që ka vendosur të asgjësojë opozitën.

Fillimisht, revolta e opozitarëve u përball me një qëndrim të moderuar të Gardës, e cila u angazhua vetëm për të ruajtur qetësinë. Më tej, urdhrat për gardistët u forcuan, deri sa arritën aty ku efektivët e Gramoz Sakos nuk lejojnë deputetët opozitarë të hyjnë në sallën e Parlamentit.

Paralelisht me këto zhvillime, institucionet qeveritare vijojnë të zhvillojnë tenderë miliarda lekë, një pjesë e të cilave shkojnë në favor të shoqërisë “2T” shpk, ku 50% e aksioneve i ka Artan Sako, vëllai i kryegardistit, Gramoz Sako.

“Syri Televizion” konsultoi vetëm tenderët që kjo kompani ka fituar nga shtatori i këtij viti, kohë që përkon me lëvizjen opozitare në parlament dhe përplasjen e tyre me gardistët.

Në këtë periudhë 3-mujore, “2T” shpk e Sakos ka fituar të paktën tre procedura të mëdha, me fond limit total prej gati 30 milionë euro.

Në 18 shtator 2023, kompania “2T” është shpallur fituese në procedurën me objekt “Rehabilitimi i Digës së Rezervuarit Pacomit, Bashkia Përmet”, me fond limit 39.822.000 lekë të reja. Sipas të dhënave zyrtare, “2T” nuk kishte ofertën më të ulët, por u shpall fituese pasi u skualifikuan disa operatorë të tjerë ekonomikë.

Pak ditë më parë, kompania me aksioner Artan Sakon u shpall fituese në tenderin e zhvilluar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes Gjirokastër për “Ndërtimin e linjës kabllore 20 KV për furnizimin e tunelit të Skërficës”, me fond limit 123.285.067 lekë.

Goditjen më të madhe për këtë periudhë 3-mujore, kompania e vëllait të Komandantit të Gardës, e bëri në mes të muajit nëntor.

Shoqëria “2T” shpk është pjesë e fituesve të kontratës me Autoritetin Rrugor Shqiptar për “Zgjerimin i rrugës Elbasan - Qafe - Thane (Faza III)”, me fond limit afërsisht 2.5 miliardë lekë të reja.

Edhe në këtë rast, kompania e Sakos nuk paraqiti ofertën më të ulët, por gjithsesi u shpall fituese.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco