Berisha: Akti ndaj gazetarit Qyno është akt tipik i një regjimi policesk, është rrëmbim shtetëror!

Berisha: Akti ndaj gazetarit Qyno është akt tipik i një regjimi policesk, është rrëmbim shtetëror!

09:30, 14/12/2023
A+ Aa A-

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, dha një deklaratë për mediat sot në nisje të seancës parlamentare, lidhur me rastin e gazetarit Elton Qyno të ndaluar dje nga SPAK.

Berisha tha: "Akt më i shëmtuar në historinë e vendit ndaj medieve, të rrëmbesh një gazetar pse ka publikuar dokumente, është akt kriminal, antikushtetues, është akt që kryhej vetëm nga falangat e policisë sekrete të Enver Hoxhës dhe nuk ndodh në asnjë vend demokratik.

Ne do e ndjekim këtë me forcën më të madhe për të bërë përgjegjës të gjithë ata që kanë kryer dje këtë akt ndaj një gazetari, i cili për hir të së vërtetës ruan një korrektesë të admirueshme në raportet që i bën publikut për kronikat e tij.

Ky akt vinte si një maskim që anëtarë të grupeve kriminale në SPAK, i bëjnë veprimtarisë së tyre.

Ata shesin dokumente, duan të informojnë me çdo kusht bandat dhe krimin, por një gjë është e sigurt, asnjë gazetar nuk mund të marrë asgjë në dosjen e tyre nëse ata nuk shesin dokumente dhe nuk i nxjerrin.

Ndaj akti ndaj gazetarit Qyno është një akt tipik i një regjimi policesk, është një rrëmbim shtetëror, është i dënueshëm dhe unë ftoj mediat në Shqipëri dhe në botë të reagojnë me forcën më të madhe ndaj këtij akti antikushtetues, çnjerëzor, që shkon në përmasat e një terrori, një pengmarrje dhe tejkalon çdo lloj imagjinate.

Edhe njëherë e them, dosja Dumani është shitur. Nuk ka asnjë shans tjetër që Elton Qyno të ketë shkuar dhe shkulur nga dosja e prokurorit bisedën e bërë.
Prandaj dhe ata në vend që të hetojnë bashkëpunëtorët e krimit në SPAK, ngatërrojnë adresën dhe arrestojnë gazetarë, të cilët kurrë nuk duhet të deklarojnë burimin.
Gazetari që deklaron burimin, merr përsipër hjekësin, i cili është gjithmonë më i ligë se dorasi.

Ndaj dhe akti është në rrafshin moral, më i ulëti që mund të bëhet."

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco