A mund të ketë padi për djegësit, që nuk përmend Boratin dhe Lalin e vet?!

A mund të ketë padi për djegësit, që nuk përmend Boratin dhe Lalin e vet?!

08:57, 13/12/2023
A+ Aa A-

Nga Erion Dasho.

Sa qesharakë SPAK dhe GJKKO kur "dënojnë" me arrest në burg persona që ndodhen ndërkohë në burg, ose të arratisur prej muajsh, të cilët nuk dihet as se në cilin cep të globit janë! Akoma edhe më qesharakë kur dënojnë bedelë dhe ushtarë, ndërkohë që kapove të vërtetë nuk guxojnë t'u përmendin as emrin.

Fatkeqësisht në këtë parodi përfshihet edhe i nderuari përfaqësues i SHBA-ve në Tiranë, kur nga njëra anë përshëndet drejtësinë e re, por nga ana tjetër refuzon të komentojë për një pyetje të drejtpërdrejtë të gazetarit: "A jeni të ndërgjegjshëm se, duke mbështetur direkt dhe indirekt Edi Ramën, po krijoni një diktator?"

Përfaqësuesi i cili vepron në emër të ambasadorit dhe të SHBA-ve ju shmang kësisoj pyetjeve më të rëndësishme që mundojnë sot çdo shqiptar:

A ka besueshmëri SPAK-u kur lejon ashiqare Tigrin të arratiset?!

A munden shqiptarët t'i besojnë reformës kur në akt-paditë e SPAK-ut aferat qindra milionëshe paraqiten si punë drejtorësh dhe këshilltarësh pensionistë?!

A mund të ketë padi për djegësit që nuk përmend Boratin dhe Lalin e vet?!

A mund të ketë padi për PPP-të e shëndetësisë pa Boratin dhe me Beqen e vet që livadhis, ndërkohë që ish-kompania e vet merr akoma miliona euro nga fondet e shëndetësisë?!

Kur SPAK dhe GJKKO të vendosin në bankën e të akuzuarve ata që e meritojnë, ndoshta shqiptarët do të nisin të besojnë tek reforma në drejtësi dhe ta falënderojnë me gjithë zemër mikun dhe aleatin më të madh të kombit shqiptar.

Mirënjohja ndaj Amerikës do të jetë e përjetshme dhe e pacënueshme nga asnjë rrethanë, por intervista si e djeshmja, fatkeqësisht, nuk i shërbejnë forcimit të saj.

Amerika dhe imazhi i saj gati hyjnor para shqiptarëve nuk duhet të preket nga qëndrime që tilla!

Shqiptarët vazhdojnë t'i kenë dhe do t'i kenë gjithmonë sytë matanë Atlantikut...
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco