'Trajtimi çnjerëzor që iu bë luftëtarëve të lirisë në Manzë nga Rama tregon se për refugjatët këtu s'ka garanci'

'Trajtimi çnjerëzor që iu bë luftëtarëve të lirisë në Manzë nga Rama tregon se për refugjatët këtu s'ka garanci'

08:20, 11/11/2023
A+ Aa A-

Çështja e marrjes së refugjatëve nga Italia dhe strehimi i tyre në kampe në Shqipëri, sipas marrëveshjes Rama - Meloni të ditëve të fundit, ishte një nga pyetjet me interes që iu drejtuan dje Kryetarit të PD-së, Sali Berishë, gjatë konferencës për shtyp.

në vazhdim, përgjigja e tij për këtë temë që ka turbulluar opinionin në Shqipëri.

Pyetje: Z. Berisha! Në fillim të javës, Rama nënshkroi një marrëveshje me kryeministren italiane, Meloni për emigrantët që shkojnë në Itali dhe do të stacionohen në Shqipëri. E para, a mendoni se do të zbatohet ndonjëherë kjo marrëveshje dhe e dyta, si gjykoni që dje dështoi një protestë e lajmëruar në Tiranë për këtë, e po ashtu edhe në Lezhë.

Sali Berisha: Së pari, dua të jem i hapur. Është një çështje vërtetë serioze. Është absolutisht një bllof i Edi Ramës. Unë ju rekomandoj të lexoni ligjin e marrëveshjeve, kapitullin e plotfuqisë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Pas rrëzimit të marrëveshjes së detit me Greqinë, të cilën edhe sot e mbroj, dhe që u rrëzua kryesisht se nuk ishte marrë plotfuqia e presidentit të Republikës dhe në mënyrë absolute ligji nuk e kërkonte këtë, por me vetëkuptim, unë them se ishte e drejtë. Nuk mund të them se në këto marrëveshje mund të përjashtohej presidenti. Janë marrëveshje që kanë të bëjnë me territorin dhe sovranitetin. Qeveria është përfaqësuese, por më suprem është presidenti. Se çfarë është sovraniteti, territori, shteti. Në shtetin është më lart presidenti.

Çfarë u vendos pastaj?! Nga vetë Edi Rama u vendos që në të tilla raste, kur kemi të bëjmë me territorialitet delegacionin e negociatave e ngre presidenti i Republikës. Plotfuqinë delegacionit ja jep presidenti. Ligji i mëparshëm nuk e kishte. Ligji i mëparshëm e kishte të dy, autorizon presidentin, autorizon kryeministrin. Jo. Presidenti i Republikës, firmosjen e dokumentit, plotfuqinë për firmosjen e dokumentit, ose e  firmos vetë presidenti, ose i jep plotfuqinë, kryeministrit ose ministrit të Jashtëm, njëlloj. Edi Rama ka shkelur me të dy këmbët ligjin, por edhe frymën e Kushtetutës. Ky ligj i hartuar mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është i drejtë.

Edi Rama e ka shmangur totalisht Presidentin e Republikës dhe nuk mund ta shmangë kurrë. Kjo çështje primarisht dhe nuk ka vlerë, veç se në këtë formë që them unë.

Së dyti, çfarë po bën Rama?! Edi Rama i damkosur me këtë mori çështjes, përpiqet të bëjë shoping për mbështetje, këtu e aty, e ku mundet në mënyrë që të mund të kapërcejë, të shpëtojë nga burgu me aferën McGonigal. Të shpëtojë mandatin nga pasurimet e paligjshme të familjes së tij. Edi Rama dridhet ta përmendë këtë çështje. Shkon e firmosë një marrëveshje të tillë.

Dua të jem i hapur. Nuk jam unë për protesta.

Italia, ka  dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm Shqipërisë këto 32 vite. Ka dhënë një kontribut edhe dy herë më të madh seç është ai monetar, ndihmat monetare. Në çdo aspekt. Sot në Itali janë 25 mijë shqiptarë që studiojnë me trajtimin më të mirë, etj.

Natyrisht marrëveshja nuk vlen. Për ta mbyllur, haptas për transparencë. Kur më është kërkuar një facilitet i tillë, nga aleati kryesor strategjik gjatë kohës në Irak, unë me gjithë ndjenjat miqësore, mirënjohjen e pakufishme nuk e kam pranuar. Përkundrazi janë kryer operacione të tjera nga më të ndjeshme, por këtë se kam pranuar.

Pse?! Sepse këtë nuk e lejon Kushtetuta, Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Në atë kohë, pat ndonjë vend si Polonia që e pranoi. Por Shqipëria nuk është Polonia. Shqipëria merr aq sa mundet me marrë. Trajtimi ç’njerëzor që ju bë luftëtarëve të lirisë, në kampin e lirisë në Manzë nga policia e Edi Ramës dhe Edi Rama tregon se për refugjatët këtu nuk ka asnjë garanci.

Mos harro, se janë marrë qytetarë turq nga rruga, janë nisur për në Ankara, pa asnjë lloj procesi zyrtar sikur të ishim krahinë e Anadollisë. Është marrë gazetari nga Rinasi, të cilin Beogradi nuk e mori, por ky e mori. Unë nuk them, se ai gazetari mund të kishte probleme, por duhet të merren në bazën e rregullave ligjore, në përputhje me konventat, nëse je shtet.

Nëse je sulltanat, atëherë hajde bëjnë ç’të duash. Unë nuk jam për këto, unë jam për të respektuar detyrimet që ka Shqipëria."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco