Lajmi i fundit

LIVE/ Protestuesit shkulin gardhin tek bashkia, tensione në protestë

Taulant Balla jo vetëm kontroll sistemit TIMS, por edhe sfidë SPAK-ut

Taulant Balla jo vetëm kontroll sistemit TIMS, por edhe sfidë SPAK-ut

21:16, 07/11/2023
A+ Aa A-

Nga Ferdinand Dervishi

Pas realizimit me regji të ndërhyrjes 20-orëshe në sistemin TIMS të Policisë, Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, vijojnë me sfidën ndaj Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK).

Në datën 3 nëntor 2023, me proceduara të përshpejtuara, ata kanë ulur në postin e Drejtorit në Drejtorinë e Programimit dhe Bazave të Dhënave, në Departamentin e IT të Policisë së Shtetit, Znj. Elona Gogo.

E sapoemëruara është marrë nën hetim nga SPAK, më 26.09.2019, nën akuzën ‘shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’. Sipas akuzës së SPAK, Znj. Elona Gogo, ish-kryetare e komisionit të vlerësimit të ofertave, në kundërshtim me ligjin, s’kualifikoi nga gara kompaninë ‘Gjoka Construction’ sh.a., duke favorizuar kompaninë fituese.

Seanca e parë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u zhvillua në datën 07.06.2023. Përfaqësues të akuzës ishin prokurorët Altin Dumani dhe Elvin Gokaj.

Znj. Elona Gogo është drejtuesja e fundit në radhë që i bashkëngjitet një ‘ekipi të ri’, që sipas një deklarimi publik të Ministrit Balla, datë 30 gusht 2023, ‘ka marrë përsipër një ndryshim tërësor të mënyrës së administrimit teknik dhe sigurisë...’

Pjesëtarët e ‘ekipit të ri’ të Ministrit Balla janë: Ervin Muço i emëruar në mënyrë të paligjshme në postin e Drejtorit të Departamentit të Teknologjisë për Informacionin dhe graduar, në kundërshtim me Ligjin për Gradat, ‘Drejtues i Lartë’.

Në këtë detyrë Ervin Muço vinte pas bëmave të rrjedhjes së të dhënave të qytetarëve shqiptarë nga databaza e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ngjarje e vitit 2021, ku ishte marrë ‘nën hetim në gjendje të lirë’.

Edhe pas emërimit në majën e kupolës së Policisë së Shtetit, më 3 gusht 2023, Ervin Muço do të kapej me presh në duar duke ndërhyrë të mënyrë të paligjshme në databazën e sistemit TIMS, një skandal që tashmë hetohet zyrtarisht nga Prokuroria e Tiranës.

Një tjetër anëtar i ‘ekipit të ri’, emëruar me firmën e Ministrit Balla, është edhe Znj. Ervina Gjana, Drejtorja e Drejtorisë së Antikrimit Kibernetik, edhe kjo e sjellë në këtë post në mënyrë të paligjshme, pa arsim përkatës dhe për më tepër me probleme të së shkuarës.

Znj. Gjana është kallëzuar penalisht në vitin 2014 për ‘vjedhje pasurie’, konkretisht për përvetësimin e hard-drive të kompjuterit personal, ndërkohë që ishte me detyrë specialiste IT në Drejtorinë e IT pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në vijim të rrethimit të sektorit të informacioneve sekrete të Policisë me personazhe të të njëjës prerje, drejtorinë e fundit që kishte mbetur pa kontroll, atë të Programimit dhe Bazave të Dhënave, në Departamentin e IT të Policisë së Shtetit, ja besuan, më 3 nëntor 2023, Znj. Elona Gogo.

Për habi, ashtu si Znj. Ervina Gjana edhe Gogo nuk ka arsimin përkatës për vendin e ri të punës, për më tepër, Ligji për Policinë e Shtetit, neni 40, pika 1/b, ja ndalon emërimin në Policinë e Shtetit për shkak se është larguar nga shërbimi civil.

Por emërimi, në postin e rëndësishëm të kontrollit të informacioneve sekrete të policisë, i një personazhi të marrë si i pandehur nga SPAK, përbën në vetvete edhe një sfidë të hapur dhe tepër të guximshme ndaj SPAK. Për më tepër që njëri nga prokurorët, që kanë dërguar në gjykim çështjen në ngarkim të Znj. Gogo, është vetë kreu i Prokurorisë, Z. Altin Dumani.

PS: Jo krejt rastësisht Znj. Elona Gogo është motra e Znj. Dallëndyshe Bici, Drejtore e Përgjithshme e  Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco