Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Gjylistani dhe Meloni

Gjylistani dhe Meloni

Nga Luçiano Boçi - 30/04/2024

Pak me vonesë por ja që dhe Meloni arriti ta kapë nën rreshta “lincimin” e supozuar të Gjylistanit tonë nga RAI 3.

Vonesa e saj duket pak e çuditshme nën dritën e reaktivitetit të saj tipik.

Ndoshta pragemisioni nr 2 i RAI-t, ose përgjërimi qafështrëngues i kahershëm i Gjylistanit.

Dhe nuk e di pse më erdhi në mendje Saadiu i famshëm pers me veprat e tij “Gjylistani” e “Bostani” (nga persishtja “Trëndafilishtja” dhe “Pemishtja”) të përkthyer aq mjeshtërisht nga Buharaja, i cili kombinonte aq mirë mirësinë me ironinë, teksa shkruante vargjet e tij: Mos më shaj në humba mendjen/Se s'gjen hënë pa lëngatë/As dhe trëndafil pa gjemba/As dhe ditë pa një natë.

Po nejse! Kohë interesash kjo e jona dhe jo thumbash e ngacmimesh nga larg.

Është kohë çnjerëzore, madje nga ato me ngritje kampesh (pothuaj përqëndrimi) për njerëz që arratisen nga vendet e tyre për të gjetur pak liri në perëndimin e paegër, por të cilën ia rrethojnë gjembat e Trëndafilit shqiptar dhe gjethet kacavjerrëse të Bostanit ose pjeprit italian.

Por dhe kohë e çuditshme me deklarata e qëndrime të çuditshme, ku sulmet e justifikimet nuk merren vesh nga vijnë e përse vijnë.

Është dhe kohë e çmendur e mbushur me lajthitje interesash marramendëse sa të duash. Dhe lajthitjet janë si amok e dinamizohen në sistem zinxhir. Gjylistani kryeministër në shkarje e sipër telefonon drejtorin e RAI-t duke ngatërruar Reporter-in italian me atë shqiptar. Pas kësaj ia kërcet me një gjuhë të përdalë gazetarëve italianë dhe politikës, duke u ankuar se i kanë sulmuar me pa të drejtë Agaçin e tij dhe Melonin e tyre. Dhe kjo e ka revoltuar.

Gati pas një jave, nën efektin e infektimit Meloni gjuan me bostan dhe ajo RAI-n. Tani jo me argumentat e Ramës, por sepse sipas saj ata kanë dashur të nxijnë e linçojnë figurën e përndritshme të Ramës.

Hajde merre vesh tani se cilin apo cilën kishin në shenjestër gazetarët italianë?!! Trandafilishten apo Pemishten? Ramën apo Melonin?! Apo Don-in e Kryeministrisë.

E të dy do thonë që enisionin nuk e kanë parë, por kanë lexuar përmbledhjen e servirur nga stafet.

Në gjithë këtë zallamahi qarëse e sulmuese, askush nga këta nuk merret vesh.

Ndërsa në kundërshti me këtë lajthitje politike me ngjyra orientale krejt arriviste me pak pudër emocionesh periferie, e vëteta e emisionit është aty, e pandryshuar dhe akuzuese:

Shqipëria është një narko-diktaturë e pastër ku simbioza krim-politikë është e plotë dhe ndryshe nga Italia e dikurshme, ku mafia ndikonte vendimet ekonomike e politike, sot në Shqipëri është vetë mafia në pushtet dhe që ndikon vendimet politike dhe sundimin politik të një kaste me kostum politik.

Shqipëria është një vend ku me koburen e sistemit të drejtësisë kërkohet të pushkatohet opozita dhe t’i jepet fund “tranzicionit” demokratik të gjatë shqiptar  që në fund fare të kemi një territor ku rrijnë mirë bashkë “ekzotizmi” i pasojave të një populli emigrantësh  me ekstremizmin çnjerëzor ndaj emigrantëve të një shteti tjetër.

Deri në daljen e puntatës së dytë të Oktapodit të ri dokumentar Gjylistani dhe Bostani mund të gjejnë në vargjet “Trandafilishtes” e “Pemishtes” së Saadi-ut pak aromë ngushëlluese.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco