SYRI TV/ SPAK shkel standardet për të trembur opozitën, Gjykata e Lartë: Hetimi në parlament, i paligjshëm

14:31, 04/11/2023
A+ Aa A-

Prokuroria e Posaçme ka shkelur rëndë standardin ligjor lidhur me autorizimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit për të mësyrë në parlament pas protestës së opozitës. Tetë vite më parë, Gjykata e Lartë pushoi çështjen ndaj deputetëve, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, të cilët akuzoheshin për “goditje për shkak të detyrës” ndaj ligjvënësit Gent Strazimiri. Gjykata e konsideroi si “tejkalim të lirisë parlamentare” por jo vepër penale. Por ndryshe u veprua në rastin Nallbati-Sinaj, ku forcohet bindja se drejtësia përdoret nga Rama për të frikësuar opozitën.

Nga SYRI TV

Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka kryer një shkelje të rëndë të standartit ligjor, kur autorizoi agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit të mësynin në sallën e Parlamentit, pas protestës së opozitës në mesin e kësaj jave.

Të enjten, deputetët e Partisë Demokratike zhvilluan protestën e radhës parlamentare, duke kërkuar që maxhoranca e Edi Ramës të respektojë të drejtën e tyre kushtetuese për kontrollin dhe transparencën e qeverisë.

Gjatë protestës, pati edhe një incident mes deputetit demokrat, Bledion Nallbati dhe kolegut të tij socialist, Vullnet Sinaj.

Pas kësaj situate, përfaqësues të BKH-së u shfaqën në sallën e Parlamentit, me qëllim për të gjetur ato që oficerët i konsiderojnë si prova të veprave të mundshme penale.

Kjo ndërhyrje e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila drejtohet nga SPAK-u përbën një rast flagrant të shpërdorimit të pushtetit nga strukturat ligjzbatuese, të cilat edhe në këtë rast kanë anashkaluar standartet e vendosura nga gjykatat më të larta.

Në qershor të vitit 2015, Gjykata e Lartë vendosi të pushojë çështjen penale ndaj deputetëve të asaj kohe, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, të cilët akuzoheshin për “goditje për shkak të detyrës” ndaj ligjvënësit Gent Strazimir.

Në atë kohë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e konsideroi dhunën që Ndoka e Ndreu ushtruan ndaj Strazimirit në korridoret e sallës plenare si “tejkalim të lirisë parlamentare”, por jo vepër penale.

Sipas Gjykatës së Lartë, ngjarje të tilla trajtohen në mënyrë ekskluzive nga Parlamenti, në kuadër të shkeljeve disiplinore të parashikuar në Rregulloren e atij institucioni.

Ky vendim i Gjykatës së Lartë përbën një precedent të rëndësishëm për zbatimin e rasteve të ngjashme në praktikë.

Pra, edhe në situatën e krijuar së fundmi në Parlament, nuk kishte aspak vend për ndërhyrjen e SPAK-ut dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Por, përfaqësues të BKH-së u shfaqën në Parlament për të mbledhur fakte dhe prova në kundërshtim flagrant me standartin e vendosur nga Gjykata e Lartë, duke forcuar bindjen se këto institucione po përdoren nga maxhoranca e Edi Ramës për të frikësuar opozitën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco