SYRI TV/ Banorët e Lumit të Vlorës derdhen para Kryeministrisë, kundër ujësjellësit që merr ujin e Shushicës

11:38, 25/05/2024
A+ Aa A-

"Jemi të bindur se juve Kryeministër ju kanë keqinformuar me shifrat e studimit që ju kanë paraqitur. Ju sigurojmë që sasia e ujit në burim sot që duhet të jetë prurje maksimale, nuk mjafton për të mbushur tubat e atij projekti dhe këtë e vërtetojnë shumë mirë specialistët e qeverisë shqiptare.”

Banorët e krahinës së Lumit të Vlorës janë mbledhur sot në një protestë para Kryeministrisë duke i bërë thirrje kreut të qeverisë, Edi Ramës, të ndalë projektin që i merr ujin lumit të Shushicës për të furnizuar Himarën.

Në deklaratën e tyre që e lexuan me megafon, protestuesit i bënë të ditur Ramës se sasia e ujit që po i merret krahinës së tyre është e pamjaftueshme dhe do ta shkretojë zonën, kurse nga ana tjetër do t’i lërë një mollë sherri brezave të ardhshëm me himariotët.

Pavarësisht se dje ata janë takuar me Ramën në Himarë dhe ai u ka premtuar se do ta shqyrtojë problemin, banorët e Lumit të Vlorës janë nxitur për të ardhur në protestë të ngopur nga premtimet e deritanishme, pasi gjysma e tubacioneve të ujësjellësit të Himarës tashmë janë shtrirë në pyjet e Kuçit të Vlorës.

“Banorët e Lumit të Vlorës, të cilët edhe pse nuk jetojnë atje për shkak të emigrimit, me mendje e zemër janë në vendlindjen e tyre dhe nuk do ta braktisin kurrë, - theksoi kreu i protestës. - Ne kemi më shumë se një vit që kemi nisur protesta për të kundërshtuar projektin dhe u kemi kërkuar të gjitha institucioneve të shtetit që të na ndihmojnë për zgjidhjen e këtij problemi, por për hir të së vërtetës, bashkëpunimi i tyre me ne ka munguar dhe ka vazhduar puna, pyjeve të Kuçit duke vendosur deri tani gjysmën e tubacioneve.

Ne kemi ardhur sot t’i themi me zë të lartë,kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, se jemi ne që e kemi falendruar publikisht dhe i kemi kënduar edhe këngë zemre dhe për këtë nuk na vjen fare turp. E meriton falënderimin tonë për rrugën e mrekullueshme të Lumit të Vlorës që na lidh me bregun e detit për 15 minuta nga një orë e gjysmë që ishte më parë apo me Tepelenën e Gjirokastrën në më pak se një orë nga 3-4 që ishte më parë.

Të parët tanë fisnikë kanë jetuar qindra vite pa rrugë, por asnjë orë të jetës së tyre pa ujë. Mos harroni që lugina e Lumit të Vlorës, që nga Kuçi, në Selenicë e Llakatund, me rreth 20 mijë ha tokë pjellore dhe resurset, del prapë në Kuç e rrugën e re duke krijuar një unazë fantastike të turizmit.

Ne nuk jemi kurrë kundër furnizimit të Himarës me ujë, por mos harrojmë se bregdeti i jugut të Shqipërisë noton mbi ujë dhe ka disa mundësi për zgjidhjen e këtij problemi.

Ne jemi të bindur se juve Kryeministër ju kanë keqinformuar me shifrat e studimit që ju kanë paraqitur. Ne ju sigurojmë që sasia e ujit në burim sot që duhet të jetë prurje maksimale nuk mjafton për të mbushur tubat e projekti dhe këtë e vërtetojnë shumë mirë specialistët e qeverisë shqiptare.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco