Strazimiri: Këtë betejë opozita e ka fituar edhe herë të tjera, me po këtë mazhorancë, këtë Edi Rama!

Strazimiri: Këtë betejë opozita e ka fituar edhe herë të tjera, me po këtë mazhorancë, këtë Edi Rama!

10:52, 03/11/2023
A+ Aa A-

“Dje kemi parë në Kuvend, opozitën që duhet të kemi!”- Kështu gjykon Gent Strazimiri, sot anëtar i Kryesisë së PD, dikur vetë deputet i opozitës, që ka marrë në këto aksione të forta politike.

Dhe nisur nga përvoja e tij në parlament, Strazimiri ka bindjen e plotë se opozita do ta fitojë të drejtën e saj për të ekzistuar, të drejtën për të ngritur komisionet hetimore, edhe këtë herë, sepse beteja të ngjashme ka zhvilluar dhe ka fituar përballë po kësaj mazhorance socialiste dhe për të njëjtit Edi Rama, atëherë kryebashkiak, sot kryeministër.

Në një intervistë të shkurtër këtë paradite në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, Strazimiri vuri në dukje dhe një fakt jo të rastësishëm:

“Sa herë në parlament kanë ndodhur gjëra të rënda dhe goditje me armë, siç ishte rasti i Azem Hajdarit apo situata të tjera të papëlqyeshme aspak parlamentare, por që përbëjnë krime të rënda, në krye të Kuvendit ka qenë gjithmonë një person i zgjedhur nga mazhoranca socialiste: Skënder Gjinushi, Servet Pëllumbi, në rastin konkret Lindita Nikolla.”

Ndiqni një pjesë nga intervista:

Kafe Shqeto: Z. Strazimiri, si  protestohet në Kuvend?

Strazimiri: Protesta është në varësi të sulmit që pëson e drejta. Në rastin konkret, sulmi është në shkallën më sipërore; jemi përpara një shkeljeje flagrante të Kushtetutës në germën  e saj, neni 77, i cili detyron Kuvendin që të ngrejë një komision hetimor nëse e kërkon një numër i caktuar deputetësh, çka ka ndodhur. Kushtetuta nuk të lejon, nuk është një opsion të mendohet nëse mund ta bëjë ose s’mund ta bëjë Kuvendi - por e detyron Kuvendin ta ngrejë komisionin hetimor që nga momenti që është paraqitur kërkesa.

Është një betejë, që nëse e mbani mend është luftuar njëherë me sukses nga opozita shqiptare në kohën kur Servet Pëllumbi ishte kryetar i Kuvendit. Kërkohej i ashtuquajturi “komisioni Olldashi” për të parë po ashtu, të pabërat e Edi Ramës në bashkinë e Tiranës. Tre muaj është bllokuar parlamenti i Shqipërisë pothuajse me të njëjta forma, për shkak se e njëjtë ka qenë rezistenca antikushtetuese e Partisë Socialiste në atë kohë për të mos lejuar një komision hetimor për të hetuar Edi Ramën dhe bashkinë e Tiranës. Në atë kohë u dorëzuan pas tre muajsh dhe komisioni hetimor u ngrit.

Komisioni hetimor gjeti të pabërat me miliona dollarë dhe për fat të keq të gjitha materialet që u dorëzuan në prokurori nuk patën asnjë “follow up”, sepse Theodhori Sollaku (ishte në atë kohë Prokurori i Përgjithshëm) menjëherë pas shkarkimit të tij si Prokuror i Përgjithshëm rezultoi të ishte një nga socialistët më “të nderuar” të këtij vendi, u bë menjëherë anëtar i “Komitetit Qendror të Partisë”. Kështu që është një betejë që opozita e ka luftuar dhe e ka fituar herë të tjera me po këtë mazhorancë.  

Kafe Shqeto: Nëse i referohemi Arben Krajës për analogji, "déjà vu" do të thoshim atëherë...

Strazimiri: Sigurisht që është "déjà vu" në çdo aspekt, por meqë më pyetët në pikëpamjen thjesht strikt të asaj që po ndodh në seancën parlamentare , kjo shoqëri bie fatkeqësisht në situata të ngjashme  për shkak se e ka memorien shumë të shkurtër.

Siç ju thashë, nuk është një gjë që po ndodh sot për herë të parë. Ka ndodhur përsëri në po të njëjtën sallë , ballë për ballë ka qenë po e njëjta mazhorancë. Bëhej fjalë për të hetuar po ashtu të pabërat e të njëjti Edi Rama, në atë kohë kryetar bashkie, sot kryeministër i vendit. Është një betejë që opozita nuk mundet ta lejojë të shkelet. E kam thënë vazhdimisht se çdo nen i Kushtetutës është i rëndësishëm. Kushtetuta është libri i shenjtë i demokracisë ashtu sikurse Kurani është për islamin; Bibla është për kristianët, Tora është për hebrenjtë. Në librat e shenjtë nuk ka asnjë germë të tepërt, nuk ka  asnjë germë që mund të duhet të interpretohet apo thuhet “shiko se kjo në këtë rast nuk zbatohet”!

E njëjta gjë vlen edhe për Kushtetutën; fakti që është neni 77, nuk i dedikohet faktit se është i 77-i në radhë për nga rëndësia. Jo! Çdo nen i Kushtetutës përbën arkitekturën tonë të sistemit tonë demokratik, çdo nen i Kushtetutës është atje për t’u respektuar. Në qoftë se sot opozita do të lejonte të shkelet neni 77, nesër fare mirë mund të shkelet neni 1 dhe neni 2 që janë parimet bazë të funksionimit të një demokracie, që është fjala vjen ... “qeverisja ndryshohet me votë dhe me zgjedhje të lira periodike të barabarta të ndershme”... etj. etj. me radhë. Kështu që është një betejë për demokraci, nuk është një kapriço e opozitës.

Kafe Shqeto:  Po Garda në Kuvend?

Strazimiri: Garda teknikisht është në varësi direkt të Ministrit të Brendshëm, që do të thotë se urdhrat i merr nga një person politik, por sigurisht është i  vërtetë fakti që urdhrat që duhen të zbatohen, duhet të jenë ata që janë të ligjshëm dhe jo urdhra të paligjshëm. Keqpërdorimi i Gardës për mendimin tim nuk është thjesht problem funksionaliteti apo fajtorë nuk janë gardistët që janë në Kuvend. Kjo tregon mentalitetin që kanë drejtuesit e sotëm të Kuvendit.

Është totalisht e palejueshme  që të përdorësh Gardën, është idiote si logjikë, si strategji  të mendosh që të shkeljet e tua të Kushtetutës do të mund t’i mbrosh me Gardën e Republikës, e cila ushtron dhunë fizike apo futet me armë a intimidon deputetët e opozitës dhe me këtë t’ia hedhësh paq. Unë mendoj se është një logjikë që nuk të çon shumë larg.

Më lejoni po ashtu t’ju kujtoj statistikisht se sa herë në parlament kanë ndodhur gjëra të rënda dhe goditje me armë, siç ishte rasti i Azem Hajdarit apo situata të tjera të papëlqyeshme aspak parlamentare, por që përbëjnë krime të rënda, në krye të Kuvendit ka qenë gjithmonë një person i zgjedhur nga mazhoranca socialiste: Skënder Gjinushi, Servet Pëllumbi, në rastin konkret Lindita Nikolla. Të gjitha kanë ndodhur për arsyen e vetme se kanë refuzuar të respektojnë rregulloren e Kuvendit, kanë refuzuar të sillen sipas detyrimit që u jep Kushtetuta.

Futja e policisë në parlament, futja e Gardës në parlament, në qoftë se është e vërtetë, po mua ma kanë konfirmuar gazetarët që edhe SPAK dhe BKH kanë ardhur dje në parlament duke e konsideruar atë një skenë krimi dhe kjo është një teori, një strategji frike e cila nuk të çon askund.

Ai Kuvend do të funksionojë dhe mund të funksionojë vetëm mbi bazën e parimeve të vendosura paraprakisht me marrëveshje midis palëve se cilat janë të drejtat e opozitës dhe se cilat janë të drejtat e mazhorancës, se ku funksionon vota dhe mbi ç’bazë duhet zhvilluar seanca.

Seancën nuk e drejton sipas kapriçove të saj, Kryetarja e Kuvendit. Seanca drejtohet nga rregullorja dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, kështu që mendoj se janë të gjitha përpëlitje pa asnjë të ardhme vetëm se na çojnë në këto skena të dhimbshme parlamentare. Është e dhimbshme ta shohësh, është e dhimbshme ta përjetosh brenda parlamentit apo jashtë. Në gjithçka tregon mosfunksionimin e shtetit, në gjithçka tregon mungesën e dëshirës për të funksionuar si një mazhorancë.

Dje kemi parë opozitën që duhet të kemi! Dje kemi parë opozitën që mbron me trup, që mbron me çdo mjet Kushtetutën e Republikës, të drejtën e saj për të ekzistuar.

Aktet inekstreme të kësaj mazhorance tregojnë sikletin që ajo ka. Reagimi i opozitës ndaj tyre, vendosmëria ndaj tyre, të të gjithë deputetëve të opozitës, tregon që ky popull i ka dhënë votën njerëzve të duhur, atyre që mbrojnë të drejtat e tyre, që mbrojnë të drejtat e popullit, atyre që nuk do të lejojnë, sepse kështu do të jetë, të jeni i bindur: në fund fare nuk do të lejojnë që të asgjësohet opozita apo opozita të jetë thjesht fasadë.

Ajo që duhet parë nga dita e djeshme është se dita – ditës ky regjim është edhe më në siklet. Sikletin e ka qoftë edhe me prezencën e një opozite dhe një regjimi, të cilit i vret sytë edhe thjesht prezenca fizike e një opozite në sallë është një regji i mbaruar, po përjeton sekondat e fundit. Unë besoj se është një betejë që duhet ta luftojnë sot deputetë e opozitës në parlament dhe nesër e gjithë shoqëria në përkrahje të tyre. Jo thjesht në kuptimin politik të fjalës në përkrahje të deputetëve të PD-së, jo!

Duhet të ngrihet e gjithë shoqëria në krah të tyre për të mbrojtur të drejtat e saj, për të mbrojtur Kushtetutën, të vetmin ligj që është i popullit në një demokraci, se të gjitha ligjet e tjera janë të qeverisë. /ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco