Lajçak: Erdhëm me një plan! Pa Asociacionin, nuk do të ketë do progres për integrimin e Kosovës

Lajçak: Erdhëm me një plan! Pa Asociacionin, nuk do të ketë do progres për integrimin e Kosovës

12:04, 21/10/2023
A+ Aa A-

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka konfirmuar se në Kosovë kanë ardhur me një plan dhe se e kanë diskutuar me kryeministrin Albin Kurti.

Lajçak ka thënë se ai plan do të diskutohet edhe në Serbi me Aleksander Vuçiçin, por shtoi se nuk mund të jepen më shumë detaje.

Emisari sllovak ka thënë se dialogu s’ka alternativë dhe ka theksuar se sulmi në Banjskë ka ndryshuar shumë gjërat.

“Ne gjithmonë kemi plan, patëm një plan, e diskutuam planin tonë me z. Kurti. Do ta diskutojmë edhe me z. Vuçiç. Nuk do të jepen më shumë në detaje. Dialogu s’ka alternativë. Sulmi i Banjskës ka ndryshuar shumë gjëra. Dhe isha shumë i qartë që autorët duhet të përballen me pasojat. Dialogu duhet të vazhdojë”, ka deklaruar Lajçak.

Lajçak deklaroi po ashtu se pa Asociacionin, nuk do të ketë do progres për integrimin e Kosovës në BE.

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mioslav Lajçak, ka përsëritur se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të themelohet sa më shpejt.

"Kurti ka një përgjegjësi për të bërë progres në normalizimin e relacioneve nëse Kosova do të bëjë progres drejt BE-së. Ne duhet të theksojmë nevojën për të lëvizur në themelimin e Asociacionit pa ndonjë vonesë. Pa këtë, nuk do të ketë progres të Kosovës në rrugën europiane”, tha Lajçak.

“Patëm një diskutim të thellë dhe substancial me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi për atë se si duhet të avancohen marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë dhe për të bërë progres në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara. Ne dëgjuam me vëmendje pikëpamjet e kryeministrit Kurti dhe po ashtu dhe shqetësimet për situatën e sigurisë në veri të Kosovës”.

“E vlerësojmë gatishmërinë e Kurtit për të vazhduar diskutimet tona shpejt. Do të vazhdojmë në Beograd ku do të takojmë presidentin Vuçiç”, shtoi ai.

Autoritetet në Beograd kanë thënë se takimet në kryeqytetin serb do të nisin në orën 14:00. Pesë diplomatët e Perëndimit nisën më 21 tetor vizitat në Kosovë dhe Serbi, me një qëllim kryesor – ringjalljen e dialogut mes dy vendeve.

Burimet diplomatike në Bruksel, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se me këtë vizitë synohet të dërgohet mesazh se ekziston unitet mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, që të punohet në zbatim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, të arritur në shkurt të këtij viti në Bruksel.

Një muaj më vonë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është arritur pajtueshmëri për aneksin e zbatimit të saj.

Në një samit të mbajtur më 20 tetor mes SHBA-së dhe BE-së në Uashington, palët kanë bërë thirrje për zbatim të “shpejtë dhe pa kushte” të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që dy vendet t’i kthehen dialogut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco