Osmani pret senatorët amerikanë: Të rriten garancitë e sigurisë për Kosovën

Osmani pret senatorët amerikanë: Të rriten garancitë e sigurisë për Kosovën

10:43, 13/10/2023
A+ Aa A-

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar që të rriten garancitë për sigurinë e Kosovës dhe të mbrohet kufiri me Serbinë.

Në një konferencë për media pas takimit me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, ajo ka theksuar se Kosova do të vazhdojë të kërkojë drejtësinë për rreshterin e rënë në detyrë, Afrim Bunjaku.

Osmani ka shtuar se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për të parandaluar veprime të ngjashme me atë të 24 shtatorit në Banjskë.

“Natyrshëm që takimi ynë u përqendrua në zhvillimet e fundit në vend, në veçanti në aktin terrorist ndaj Kosovës të sponsorizuar dhe mbështetur nga Serbia. Synimet e tilla dashakeqe nuk mjaftohen vetëm me Kosovën por janë paralajmërim që Serbia ka për qëllim të destabilizoj tërë rajonin. Gjëja më e rëndësishme në këtë moment është që Serbia të mbahet përgjegjëse, t’i dorëzojë terroristët si dhe të rriten garancat e sigurisë në raport me Kosovën që të mbrohet kufiri Kosovë-Serbi nga sulmet e tilla në të ardhmen”, ka thënë Osmani.

Në fjalën e saj, senatorja Jeanne Shaheen, ka thënë se përgjegjësit për ngjarjen e 24 shtatorit duhet të japin llogari dhe se shpreson që Serbia do të bashkëpunojë në këtë drejtim.

“Kishim planifikuar një udhëtim në rajon. Deshëm të shfrytëzojmë mundësinë që pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vijmë këtu dhe t’i shprehim shqetësimet tona. E dimë se është shumë shqetësuese kjo ngjarje për Kosovën. Mendojmë se është e rëndësishme që përgjegjësit për ngjarjet e 24 shtatorit të japin llogari, shpresoj që Serbia do të bashkëpunojë në këtë drejtim”, ka thënë senatorja Shaheen.

“Kjo na tregon se për stabilitet dhe paqe afatgjate në Kosovë duhet vazhduar me mbështetjen e BE-së dhe ShBA-së në mënyrë që të gjendet një bashkëjetesë afatgjate paqësore me Serbinë”, ka shtuar ajo.

Në fund, ajo ka thënë se është këtu për të mbështetur Kosovën, si një vend me të cilin e ndanë të njëjtat vlera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco