KAFE SHQETO/ Kikia: Shqipëria duhej të kishte rol suportues ndaj Kosovës

09:46, 05/10/2023
A+ Aa A-

Gazetari i njohur Mentor Kikia, i ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto’ komentoi deklaratën e kryeministrit Edi Rama, i cili disa ditë më parë për ‘Financial Times’ u shpreh se ‘Kosova është tokë e askujt’ duke u përpjekur ta korrigjojë më vonë me preteksin se ‘Veriu i Kosovës nuk është tokë e askujt'.

Kikia u shpreh se kurrsesi nuk mund ta pranojë se në këtë epokë që Rama ende vazhdon të jetë kryeministër i vendit, një lapsus i tillë është fatal dhe kurrsesi nuk duhej bërë.

Madje, gazetari i njohur tregoi se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s mund dhe duhet të kishte një rol suportues ndaj Kosovës, por për fat të keq Tirana dhe Prishtina vazhdojnë t’i ketë marrëdhëniet thuajse të ngrira.

Pjesë nga deklarata e tij:

Mentor Kikia: “Unë dua të besoj që ka qenë një lapsus ajo që ka thënë ‘Kosova është tokë e askujt’ dhe nuk do të doja ta pranoja që këtë e ka thënë kryeministri i Shqipërisë, sepse nuk do të doja ta pranoja që kryeministri, pavarësisht në cilën epokë është të bëjë një pohim të tillë, por duhet ta pranoj që kjo është thënë vetëm për komunat që janë në Veri të Kosovës.

Por edhe këtu tashmë jemi sërish në kushtet e një metafore, do të thoja unë, sepse në këtë botë të vogël nuk ka askund asnjë copë tokë që nuk i përket askujt, aq më pak të jetë një copë tokë në Veri të Kosovës, në Ballkan në mes të Europës. Kështu që padyshim dihet që ajo tokë i përket territorit të Kosovës, shtetit të Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi. 

Problemi është që kemi të bëjmë me një qëndrim të vazhdueshëm, i cili është pasojë e vazhdueshme e një komunikimi mes Tiranës dhe Prishtinës.

Prej vitesh kemi të bëjmë me dy linja qëndrimi sa i takon çështjeve apo problemeve që prodhohen në mënyrë sistematike nga Serbia në Kosovë, të cilat janë si drejtëza paralele që nuk priten askund dhe kjo është pasojë e mungesës së kordinimeve të qëndrimeve pasi Shqipëria si vend anëtar i NATO-s apo strukturave të tjera ndërkombëtare mund dhe duhet të kishte një rol suportues ndaj Kosovës, por për fat të keq Tirana dhe Prishtina vazhdon t’i ketë marrëdhëniet thuajse të ngrira”.

Klea Sula/ Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco