Kurti: Thaçi u zotua që të mos e lejojë FSK-në në veri, por kufiri duhet ruajtur

Kurti: Thaçi u zotua që të mos e lejojë FSK-në në veri, por kufiri duhet ruajtur

15:13, 30/09/2023
A+ Aa A-

"Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk lejon FSK-në të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet".

Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të shtunën, duke shtuar se zotimi ka lënë vakum në pjesën veriore.

Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tani i burgosur në Hagë si i dyshuar për krime lufte, në vitin 2013 ishte zotuar që nuk do ta dërgonte FSK-në në veri pa koordinim me NATO-n.

Kurti thotë se ky zotim ka lënë vakum në veriun e Kosovës, prandaj siç thotë ai, po shtojnë bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë. 

“Vigjilenca dhe gatishmëria jonë për veriun është dëshmuar që nga dita e parë e qeverisjes sonë. Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk lejon FSK-në të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet. Ky vakum që është atje duhet të mbushet, dhe për këtë jemi duke shtuar bashkëpunimin me aleatët tanë ndërkombëtarë, e ata trupat e KFOR-it. Serbia duhet të ndëshkohet ndërkombëtarisht sepse sa herë s’është ndëshkuar, ajo i ka përsëritur krimet”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit është shprehur se faktet tashmë dëshmojnë që Serbia sponsorizon terrorizmin në veri.

“Prej të dielës asgjë nuk është e njëjtë. Faktet dolën në shesh dhe që Serbia po e sponsorizon terrorizmin në veri, u vërtetua. U faktua se janë në krye të këtij organizimi njerëzit që janë të sanksionuar nga SHBA-ja dhe të afërt me Vuçiqin. Dokumentet e municionet që u gjetën dëshmuan vulën e shtetit serb që treguan origjinën e këtij sulmi”, ka shtuar Kurti.

Kurti u ka bërë thirrje aleatëve ndërkombëtarë që t’i shpallin terroriste organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriu”, vendim të cilin e kishte marrë Qeveria e Kosovës në qershor. Ai shtoi se “ata që kanë ikur tinëz malit në Serbi gjatë sulmit” duhet të ekstradohen sa më parë në Kosovë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco