'Rilindësit në ishujt tropikalë, shqiptarët në kërkim të kurares'

'Rilindësit në ishujt tropikalë, shqiptarët në kërkim të kurares'

08:13, 29/09/2023
A+ Aa A-

Nga Erion Dasho.

Një nga produktet më interesante që përdoren në mjekësi është edhe kurarja, një substancë që ka aftësinë të paralizojë muskujt e çdo qenieje të gjallë. Nuk e kanë zbuluar mjekët apo kimistët, por indianët e Amazonës, të cilët lyenin me kurare majat e shigjetave duke bërë që edhe gërvishtja më e vogël e gjahut apo e armikut të kthehej në një plagë vdekjeprurëse.

Kur u mësua ky efekt i kurares, mjekët e shfrytëzuan për të "qetësuar" pacientët gjatë operacioneve.
Rezultati?!

Pacientët e parë të operuar nën efektin e kurares, ndanë me të tjerët tmerrin dhe torturën e patreguar të një operacioni ku ndjenin gjithçka, ku dhimbjet ishin të padurueshme, por ata ishin të gozhduar në tryezën operatore pa asnjë mundësi për të lëvizur dhe reaguar.

***
Kurarja dhe efekti i saj paralizues është ndoshta paralelizmi që i afrohet më tepër sjelljes së shqiptarve gjatë periudhave të ndryshme të historisë.

Gjatë pesëqind viteve të sundimit osman dhe më pas gjatë 45 viteve komunizëm, sjellja e shqiptarëve mund të shpjegohet vetëm me pasojat e një shiringe gjigande "kurareje" që ka qënë injektuar në ato që duhet të ishin muskujt e shoqërisë.

Vetëm kur doli efekti i "kurares" në 1912 dhe 1990, shqiptarët nisin të përshkruajnë vuajtjet dhe dhimbjet e dy pushtimeve.

Sot, pas dhjetë vjet pushtim nga rilindja, shqiptarët duken se kanë rënë sërish nën efektin e kurares. Megjithë të zezat që po u punojnë rilindësit dhe 99-çët e tyre, shqiptarët duken totalisht apatikë dhe jo reagues.

Shpirti i tyre i protestës ka vdekur!

Nuk ka rëndësi se çfarë skandali ndodh, incineratorët, koncesionarët e shëndetësisë, kullat, prishja e teatrit, falja e portit të Durrësit, rrugët e shtruara me çmime shumëfish, ministrat e kryebashkiakët në burg, zëvendëskryeministrat në arrati, Shukritë, McGonigalët, Gicët, etj., etj., votat nuk preken, por përkundrazi sa vijnë e shtohen.

Kur të kalojë makthi dhe shqiptarët të rizgjohen nga kurarizimi i rilindjes, sigurisht do të nisin të ankohen, të tërbohen, ndoshta edhe të rebelohen, por ndërkaq do të jenë më të vjedhur, më të tallur, më të shtypur dhe më të prapambetur.

Rilindësit, pasi të paguajnë me ca vite burg të ndonjë shoku e ortaku të tyre fatkeq, do të gëzojnë miliardat e vjedhura nëpër ishuj tropikalë e parajsa fiskale.

Shqiptarët ndërkohë do të jenë në kërkim të kurares... për të rënë sërish në topitjen dhe shushatjen e radhës...

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco