Gërvalla, pas fjalimit të presidentit serb Vuçiç në OKB: Kjo është hipokrizi

Gërvalla, pas fjalimit të presidentit serb Vuçiç në OKB: Kjo është hipokrizi

07:17, 22/09/2023
A+ Aa A-

Pas fjalimit të presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç në OKB, ku e ndërlidhi agresionin e Rusisë në Ukrainë me Pavarësinë e Kosovës, ka reaguar ministrja Kosovare e Punëve të Jashtme dhe Diasporçës, Donika Gërvalla duke e quajtur fjalimin e tij një hipokrizi.

“Si ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dënoj ashpër dhe i hedh poshtë në tërësi si të pavërteta dhe tentim për shtrembërim të historisë deklarimet lidhur me Republikën e Kosovës, të bëra nga presidenti i Serbisë në paraqitjen e tij të sotme para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku ai, mes të tjerash, zanafillën e agresionit rus në Ukrainë e sheh tek pavarësimi i Kosovës, dhe paturpshëm pretendon se më 2008 Serbisë i ka ndodhur kjo që i ndodhë Ukrainës sot” shkruan në reagim Gërvalla, sipas RTK.

Për opinionin publik vendor e ndërkombëtarë ajo thotë se e ndjenë të nevojshme të përsëris këto fakte të pamohueshme historike:

“Pavarësia e Republikës së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, është përmbushje e vullnetit të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, dhe ka ardhur pas një përpjekjeje të organizuar të shtetit të Serbisë për të zhdukur popullin shqiptar në Kosovë, për të cilën disa nga zyrtarët më të lartë shtetërorë, ushtarakë e policorë të Serbisë të atyre viteve janë gjykuar dhe dënuar nga Tribunali i Krimeve të Luftës i OKB-së, në Hagë”, thotë Gërvalla.

Deklarata e Shpalljes së Pavarësia e Kosovës, sipas saj, nuk është shkelje e Ligjit Ndërkombëtar, e as rezolutave dhe dokumenteve të tjera relevante të OKB-së, rrjedhimisht as Kartës së OKB-së. Këtë e ka gjykuar dhe vendosur, sipas saj, trupi më i lartë juridik i OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në opinionin e saj të nxjerrë më 22 korrik 2010,me kërkesë të vet Serbisë.

“Me këto shpifje dhe përpjekje për shtrembërim të historisë, presidenti i Serbisë ka keqpërdorur rëndë foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Nëse ka një ngjashmëri mes agresionit rus në Ukrainë dhe rastit të Kosovës, ajo është vetëm te fakti se Rusia sot ka marrë në shënjestër Ukrainën dhe ukrainasit ashtu si Serbia më 1999 kishte marrë në shënjestër Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës”, thotë Gërvalla.

Kjo edhe është arsyeja pse Republika e Kosovës sot, sipas saj, përkrah pa asnjë hezitim Ukrainën në luftën e saj të drejtë kundër agresorit kriminal rus. Kjo njëkohësisht duket qartë se është arsyeja, siç thotë më tej ajo, pse Serbia vazhdon të mbështesë Rusinë e Putinit, siç e konfirmoi hapur dhe pa dilemë vet Presidenti i Serbisë në të njëjtin fjalim në OKB.

“Njëkohësisht, MPJD tërheq vëmendjen se në paraqitjen e tij në OKB, Presidenti i Serbisë i ka shkelur, edhe një herë, edhe zotimet që i ka dhënë para Bashkimit Evropian kur e ka pranuar Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, të datës 27 shkurt 2027, dhe Aneksin Zbatues të datës 18 mars 2023, neni 2 i së cilës përcakton qartë se raportet mes Kosovës dhe Serbisë do të ndërtohen bazuar në parimet e Kartës së OKB-së, posaçërisht atyre që ndërlidhen me barazinë sovrane të shteteve, respektimin e ndërsjellë të pavarësisë dhe integritetit territorial”, thotë shefja e diplomacisë kosovare.

Më atë Marrëveshje, presidenti i Serbisë, siç thotë ajo, është pajtuar edhe që Serbia të mos flasë në emër të Republikës së Kosovës në forumet ndërkombëtare, dhe të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare, përfshirë OKB-në.

Në harmoni me atë Marrëveshje, të cilën BE dhe SHBA dëshmojnë se presidenti i Serbisë e ka pranuar dhe do ta zbatojë në tërësinë e saj, ai sot, siç thotë Gërvalla, në paraqitjen e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, është dashur të bëjë thirrje për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB, apo, së paku, të mos flas fare për Republikën e Kosovës!

“Në vend të kësaj, para audiencës ndërkombetare në OKB, ai ka zgjedhur të lansojë të pavërteta dhe insinuata, që përveç Kosovës njollosin edhe partnerët ndërkombëtarë Perëndimorë, BE-në dhe SHBA-në. Sa i përket Dialogut të Brukselit, për të cilin presidenti i Serbisë tha se është i bllokuar dhe akuzoi Republikën e Kosovës për këtë gjë, më lejoni t’i përsëris edhe një herë këto fakte: Republika e Kosovës e ka pranuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Ankesin e Ohrit; Ka kërkuar që ajo të nënshkruhet si dokument obligues ndërkombëtar; insiston në zbatimin e plotë dhe urgjent të Marrëveshjes në tërësinë e saj”, thotë Gërvalla në reagim.

Bllokues i dialogut, sipas saj, është Serbia dhe presidenti i saj, i cili  ka refuzuar nënshkrimin e Marrëveshjes, ndërmjetësve ndërkombëtarë u ka thënë se e pranon, ndërsa publikut në Serbi i thotë se nuk e pranon Marrëveshjen e plotë.

“Ndoshta deklarimet e tilla të njeriut që ka qenë bashkeëpunetor i afërt i krimineleve të luftës Slobodan Milosheviq e Vojislav Sheshel mbase mund edhe të befasojnë dikë në Perëndim që vazhdon të besojë se Presidenti aktual i Serbisë është një partner i mundshëm demokratik i BE-së dhe NATO-s. Por, kjo nuk është befasi për Repubikën e Kosovës dhe qytezarët e saj, të cilët e njohin shumë mirë ish-ministrin e propagandes të Milosheviçit, sot sundimtarin e Serbisë dhe aleatin e Putinit në Ballkan. E njohin edhe politiken që ai përfaqëson, e cila fatkeqësisht vazhdon të mbajë peng te gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, e para se gjithash edhe vet popullin serb”, shkruan ajo.

Në fund të reagimit, ministra Gërvalla i bënë  thirrje bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht BE-së dhe SHBA-së, që të dënojnë një gjuhë të tillë të përdorur nga presidenti i Serbisë në OKB, dhe “t’ia rikujtojnë atij obligimet që ka marrë me pajtimin e shprehur në Bruksel dhe Ohër”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco