U dërgua me porosi të Ramës në KiE/ A do i raportojë Basha lidhjet e tij ruse?

U dërgua me porosi të Ramës në KiE/ A do i raportojë Basha lidhjet e tij ruse?

10:08, 13/09/2023
A+ Aa A-

Një ditë më parë u mësua se Lulzim Basha ka mbërritur në një takim të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, me porosi të Edi Ramës.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e dërgoi Bashën në këtë takim si zëvendësues të socialistes Blerina Gjylameti.

Por kulmi i ironisë arriti mbrëmë, kur u raportua se Këshilli i Europës e ka caktuar Lulzim Bashën si raporter për konfiskimin e aseteve ruse.

Sipas medieve pranë qeverisë, vendimi ka ardhur pasi Basha paraqiti një projekt-rezolutë në Këshillin e Europës që bën thirrje për konfiskimin e aseteve ruse, krijimin e një fondi ndërkombëtar ku të depozitohen asetet e konfiskuara dhe vendosjen e këtyre fondeve në dispozicion të financimit për projektet e rindërtimit të Ukrainës.

Por Lulzim Basha është i vetmi politikan në Shqipëri, i akuzuar zyrtarisht nga shërbimet e inteligjencës në SHBA, se është financuar me paratë ruse.

Raporti i inteligjencës amerikane u publikua shtatorin e kaluar. Ai theksonte se Rusia ka dhënë mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende. Ndërkohë gjysmë milionë dollarë janë dhënë për Lulzim Bashën.

“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha një burim i qeverisë amerikane për Zërin e Amerikës pas publikimit të raportit. Burimi nuk dha hollësi të mëtejshme për rastin e Shqipërisë. Por viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.

Firma lobuese amerikane kishte deklaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera, sipas deklarimit janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Kjo dosje përvëluese është mbyllur në Shqipëri me porosi të Edi Ramës, por mbetet e hapur në nivelet më të larta në SHBA.

Tani pyetja që lind është nëse Lulzim Basha do e raportojë kompaninë ‘Biniatta Trade’ në Këshillin e Europës si një kompani ruse?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco