VIDEO/ Boçi: Bashkimi i PD-së të bëhet akt, jo vetëm deklarata në parlament

11:05, 12/09/2023
A+ Aa A-

"Nuk mundesh t’i imponosh një grupi parlamentar, të krijuar sipas vullnetit politik të tij, t’i përcaktosh drejtuesin e grupit parlamentar. Unë e di që gjithçka mund të bëhet edhe me qëllim për ta futur në kalendat greke të gjithë debatin brenda grupit parlamentar të PD-së me qëllim që ai të mos merret me axhendën antiqeveritare, me luftën kundër korrupsionit, me debatin parlamentar."

"Pastaj në politikë duhet pranuar ajo që është vetëdeklaruar nga z. Bardhi, ka evolucion në politikë, ka refleksion ndaj mendimeve apo qëndrimeve, ka dhe korrigjime."

"Politika nuk është thjesht një deklaratë, është akt!" 

Intervistë me z. Luçiano Boçi, nënkryetar i Partisë Demokratike në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV me moderatorët Flavio Shqarri dhe Ola Bregu lidhur me zhvillimet e fundit politike brenda partisë më të madhe të opozitës për bashkim dhe luftën e koordinuar Rama-Basha kundër saj.

Kafe Shqeto: Z. Boçi, flitet nga z. Bardhi se mazhoranca nuk do ta lejojë PD-në të zgjedhë kreun e grupit parlamentar. Cilat janë këto përpjekje që do të bëjë mazhoranca?

Boçi: Mazhoranca do të shfrytëzojë hapësirën e rregullores së parlamentit për të tejkaluar vendimarrjen e grupit parlamentar, por harrohet se ka një rregullore të funksionimit të grupit parlamentar, ka dhe disa të drejta të sanksionuara në dokumentet e PD-së, sepse statutet janë pak a shumë të njëjta në raport me mënyrën se si funksionon grupi parlamentar dhe është vetë grupi parlamentar, pavarësisht vendimarrjes së znj. Nikolla, ai që përcakton se kush do të jetë drejtuesi i grupit parlamentar, është shumica e grupit parlamentar.

Është një trupë e gjallë, grupi parlamentar, jo një trupë amorfe që mund të komandohet nga dëshirat apo nga diktimet e një personi të vetëm, qoftë ky dhe në kostumin e “kryetarit me demek” të një partie të caktuar, pasi grupi parlamentar supozohet se përbëhet nga shumë flukse, mund të jetë edhe nga forcë politike, por përmban shumë flukse mendimesh, qëndrimesh. Deputetët vërtet zgjidhen nga partitë politike, por në aktivitetin e tyre kanë dhe një lloj autonomie vendimmarrjeje dhe të paraqitjes së opinioneve, qëndrimeve të tyre politike, siç ka ndodhur edhe në vazhdimësi, nuk është gjë e re. Por kjo çështja e imponimit ka një dimension paksa qesharak.

Nuk mundesh t’i imponosh një grupi parlamentar, të krijuar sipas vullnetit politik të tij, t’i përcaktosh drejtuesin e grupit parlamentar. Unë e di që gjithçka mund të bëhet edhe me qëllim për ta futur në kalendat greke të gjithë debatin brenda grupit parlamentar të PD-së me qëllim që ai të mos merret me axhendën antiqeveritare, me luftën kundër korrupsionit, me debatin parlamentar, por të merret me debatin e brendshëm dhe kjo e shfokuson edhe vëmendjen e publikut, por ul dhe reputacionin e Grupit Parlamentar të PD-së. Unë kam shumë shpresë që deputetë me përvojë, por edhe ata jo me përvojë po me pasion, do ta shmangin çdo lloj diktimi nga ana e mazhorancës së drejtimit të grupit parlamentar.

Kafe Shqeto: Z. Boçi, një pjesë e madhe e mbështetësve tuaj e kanë vlerësuar rritjen, zmadhimin dhe unifikimin e grupit parlamentar, por kanë pasur rezervat e tyre ndaj z. Bardhi. Gazetari i Syri TV e ka pyetur dje gjatë intervistës për ato që i ka quajtur “gabime të së shkuarës”. A ka ndodhur e njëjta gjë, keni pasur një kërkesë llogarie mes palëve për deklarata të së shkuarës? A duhet të jetë kjo dhe një rrugë për pak transparencë me njeri-tjetrin?

Boçi: S’mund të qëndrosh në politikë, viktimë e deklaratave. Gjuha ka vërtetë një efekt të çuditshëm. Sa e ke të palëshuar,  ti e kontrollon atë. Në momentin që ti ke lëshuar fjalët, gjuhën – është ajo që të kontrollon ty dhe këto deklarata kanë ndikuar tek përshpejtimi i procesit të bashkimit, pasi jo vetëm z. Bardhi, po dhe deputetë të tjerë kanë qenë peng të asaj ç’kanë artikuluar, por jemi në artin e së pamundurës, jemi në politikë dhe në politikë do të ndodhin edhe shumë “kafshime” të tjera.

Pastaj në politikë duhet pranuar ajo që është vetëdeklaruar nga z. Bardhi, ka evolucion në politikë, ka refleksion ndaj mendimeve apo qëndrimeve, ka dhe korrigjime. Përderisa njeriu i përfshin të gjithë këto vetërregullime apo arsyetime, atëherë duhet të pranohen edhe në sferën e politikës. Çdonjëri nga ne e ndërton perfeksionimin e tij duke përmirësuar edhe disa gabime të tij, jo thjesht duke bërë gjithmonë veprime të mira. Dhe në këtë rrafsh unë mendoj që s’duhet të mbetemi peng i qëndrimeve apo i deklaratave të bëra më parë.

Ajo që unë shoh me dyshim, të themi, të hyjmë te skeptikët, sepse dua të bëj skeptikun në mënyrë paksa artificiale me qëllim që të shtyj dhe axhendën politike është që veprimet për bashkimin e PD-së duhet të konturohen shumë më politikisht. Nuk mund të mbeten më vetëm në aulat e parlamentit, vetëm në sferën e luftës politike parlamentare. Sfera e luftës politike parlamentare vërtet duhet të jetë pjesë e luftës politike, nuk mundet ta shkëpusësh paksa me zor këtë dhe ne duhet të bëjmë bashkim të nivelit parlamentar -  partiak ta shohim pak më vonë. Jo, janë gjëra që duhet të shkojnë në union, në paralel. Madje bashkimi politik është ai që ndihmon dhe shtyn bashkimin parlamentar dhe e bën shumë më efikase, luftën parlamentare . Një detaj të vogël: për shembull është sot mbledhja e grupit parlamentar apo jo.

Kafe Shqeto: Ditën e mërkurë, nëse unë jam e saktë ashtu siç ka paralajmëruar z. Bardhi...

Boçi: Po, ditën e mërkurë është lajmëruar edhe vendi i zhvillimit të mbledhjes të grupit parlamentar, salla e mbledhjeve të grupeve në Kuvendin e Shqipërisë . Për mua si nënkryetar i partisë do të thosha se s’ka pse mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike si forcë opozitare, të bëhet në sallën e mbledhjeve të grupeve parlamentare.

Në traditën e parlamentit, opozita gjithmonë mbledhjet e veta të grupit parlamentar i zhvillon në selinë e Partisë Demokratike. Pra, një detaj që ka simbolikë politike; në fakt përcjell edhe mesazhe. Shmangia e këtij detaji më bën paksa kritizer e kjo më shtyn pastaj që të kërkoj akoma më shumë. Që në fillim kam thënë, ok, shumë mirë, jam optimist për bashkimin, por duhet shtyrë me shpejtësi në akte politike.

Kafe Shqeto: bashkë me aktet politike që janë thelbësore, duhen njohur disa prerekuizita, psh z.Gaz Bardhi nuk njeh institucionet e dala nga Kuvendi i 11 Dhjetorit, i cilit është ende një proces ligjor që do të saktësonte dhe jepte atë që është në fakt thelbi i pengmarrjes, vula dhe logoja.

Boçi: Po prandaj kur kam përfshirë togfjalëshin “vendime politike”, përshij edhe qëndrimet ndaj vendimeve politike që kanë marrë institucinet e Partisë Demokratike, përfshirë institucionin më të lartë që është Kuvendi i PD dhe e kërkoj edhe sot që ky bashkim nuk ka nevojë të shohësh as prapa dhe as anash, duhet të ecësh përpara. Politika nuk është thjesht një deklaratë . Dhe  deklaratat e kanë vlerën e tyre, është akt! Dhe vendimmarrja duhet të jetë e shpejtë dhe e fortë. Në momentin kur je i shpejt, i fortë, efikas dhe kur këtë vendimmarrje e përputhen me emocionin e demokratëve që të gjithë e dimë, duan bashkim, atëherë ke sukses, atëherë je i gatshëm të bësh luftën politike. Nuk bëhet thjesht lufta politike se e formulove bukur kritikën ndaj Ramës dhe se Rama u tremb aty nga mënyra se si u formulua pjesa e ligjërimit politik.

Jo jo, duhet akti politik, një bashkim real konkret i PD-së, deklarata të forta ndaj çështjes në gjykim në gjykatë në mënyrë absurde të vulës dhe logos së PD-së. Nuk i përket as grupeve të caktuara, as individëve të caktuar, i përket demokratëve. Historia është e tyre dhe duhet të rikthehet në vendin e vet edhe vula edhe historia edhe logoja dhe debatet e tjera pastaj të luftës parlamentare. Po, hajde të perforjmojmë, besimi do të rritet, beteja duhet të shtrihet nga parlamenti në pjesën e protestave, në pjesën e  angazhimeve, në pjesën e riorganizimeve të Partisë Demokratike. Këtu janë ftuar të gjithë deputetët të bëhen pjesë e forumeve të PD-së dhe të vijohet me një akt dhe veprim, aksion politik efikas. Kjo është  politika, nuk është të mbyllesh në një sallë të thuash gjëra impresionuese me idenë që po, publiku do të vijë nga pas!!! Publiku është në pritje./ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë në videon e Syri TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco