Korporata e Investimeve e mbylli vitin me humbje, po bordit i dha 20 mln lekë honorare

Korporata e Investimeve e mbylli vitin me humbje, po bordit i dha 20 mln lekë honorare

07:15, 08/09/2023
A+ Aa A-

Korporata Shqiptare e Investimeve e mbylli edhe vitin e kaluar pa asnjë të ardhur nga aktivitetet ekonomike.

Sipas pasqyrave të audituara financiare të shoqërisë, viti 2022 u mbyll me humbje neto në vlerën e 69 milionë lekëve, shifër kjo në rritje me 253% krahasuar me vitin 2021.

Megjithëse nuk ka ende aktivitet ekonomik, Korporata e Investimeve vitin e kaluar raportoi një rritje të ndjeshme të shpenzimeve. Në pjesën më të madhe, shpenzimet e kompanisë konsistojnë në shpenzime personeli, shpenzime të tjera operative dhe shpenzime për shërbime.

Në fund të vitit të kaluar kompania raportonte 11 punonjës, ndërsa shpenzimet vjetore të personelit arritën në pothuajse 34 milionë lekë, duke përfshirë pagat, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, sigurime shtesë dhe trajnime.

Por, një zë tjetër me shumë peshë në shpenzimet e shoqërisë është ai i shpenzimeve për shërbime, për një vlerë të përgjithshme prej 20.3 milionë lekësh. Sipas shënimeve të pasqyrave financiare, shpenzimet për shërbime konsistojnë në honorare për Këshillin Mbikëqyrës të shoqërisë.

Një shifër kaq e lartë honoraresh është e pazakontë për anëtarët e organeve drejtuese me kohë të pjesshme dhe për më tepër të një shoqërie që nuk ka ende asnjë aktivitet ekonomik.

Në praktikën e zakonshme të shoqërive tregtare, anëtarët e organeve drejtuese të që nuk janë të angazhuar me kohë të plotë nuk kanë përfitime të krahasueshme me drejtuesit ekzekutivë me kohë të plotë. Një logjikë e tillë ndiqet edhe në pagesën e anëtarëve me kohë të pjesshme në Këshillat apo Bordet e institucioneve publike.

Aksioner i vetëm i Korporatës së Investimeve është qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që ka rrjedhimisht edhe tagrin për të emëruar anëtarët e organeve drejtuese të shoqërisë. Siç ndodh zakonisht në këto raste, anëtarët e Këshillit Drejtues janë kryesisht funksionarë të lartë të institucioneve qendrore.

Korporata Shqiptare e Investimeve aktualisht ka një Këshill Mbikëqyrës të përbërë prej shtatë anëtarësh.

Nuk është e pazakontë që prania në bordet e institucioneve apo ndërmarrjeve publike të përdoret si formë shpërblimi për të “rrumbullakosur” pagën e funksionarëve të lartë publikë, por në rastin e Korporatës Shqiptare të Investimeve duket se është tepruar me bujarinë, në kurriz të fondeve publike.

Korporata Shqiptare e Investimeve i ka kushtuar deri tani taksapaguesve 4.4 miliardë lekë, vlera e investimit të deritanishëm të qeverisë në kapitalin e saj aksioner. Deri tani, kompania nuk ka asnjë aktivitet. Vetëm këtë vit, ajo ka nisur procedurat e përzgjedhjes së konsulentëve për të nisur projektet e investimit në energjinë fotovoltaike. /E.Shehu

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco