SYRI TV/ Krahu i djathtë i Bashës merr edhe 3 milionë euro nga Rama

13:22, 14/08/2023
A+ Aa A-

Ndërsa Lulzim Basha vijon përpjekjet e tij, për të mbajtur peng Partinë Demokratike, duke u zotuar për të luftuar kryeministrin, krahu i tij i djathtë, Agron Kapllanaj vijon të marrë tendera nga qeveria Rama. Përmes kompanisë, Shkëlqimi 07, Kapllanaj ka fituar një tjetër tender me vlerë 3 milionë euro, ndërsa në 4 vjet ka përfituar në total 28 miliardë lekë tendera, nga qeveria

SYRI TV

Agron Kapllanaj është vendosur në krah të djathtë të Lulzim Bashës, në atë që ata e quajnë betejën e radhës pa kthim për rrëzimin e regjimit të Edi Ramës.

Por, ndërkohë që Kapllanaj deklarohet si luftëtar i paepur kundër qeverisë, kompania private e familjes së tij, “Shkëlqimi 07” vijon të përfitojë miliarda nga institucionet qeveritare të Ramës.

Në fundjavën që lamë pas, e konkretisht në 9 gusht, shoqëria “Shkëlqimi 07” është shpallur fitues në një tender të zhvilluar nga Fondi Shqiptar për ndërhyrje në përmirësimin e shtresave asfaltike për rajonet 3 dhe 4.

Fondi limit për këtë tender ishte 570 milionë lekë të reja ose rreth 5.5 milionë euro. Procedurat tenderuese u shpallën në fillim të korrikut të këtij viti. Në garë morën pjesë rreth 15 operatorë ekonomikë, nga të cilët 4 u skualifikuan.

Në përfundim, institucioni i drejtuar nga Dritan Agolli, i njohur si një prej njerëzve më të afërt të kryeministrit Edi Rama, shpalli fitues të tenderit kompaninë e familjes së Agron Kapllanaj.

Sipas dokumenteve zyrtarë, shoqëria ‘Shkëlqimi 07” ka paraqitur ofertën në vlerë 315 milionë lekë të reja ose rreth 3 milionë euro.

Beteja politike për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti duket se kërkon shpenzime financiare të shumta për grupin e Lulzim Bashës. E, këto shpenzime, ata po i mbulojnë nga fondet që po i marrin pikërisht nga kryeministri Edi Rama dhe vartësit e tij.

Të dhënat e përpunuara nga portali “spending.data” tregojnë se kompania “Shkëlqim 07” e familjes së Agron Kapllanaj ka përfituar më së paku 29 miliardë lekë të vjetra në periudhën 2019 deri në korrik 2023.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco