A është sekuestrimi i inceneratorit një fasadë si pylli orbital?

A është sekuestrimi i inceneratorit një fasadë si pylli orbital?

12:44, 03/08/2023
A+ Aa A-

Nga Oerd Bylykbashi

Banorët e Tiranës paguajnë 29 Euro/ton për incenerimin e mbetjeve në fantaceneratorin e Tiranës.

Ata të Durrësit paguajnë gati 40 Euro/ton sepse shtohet edhe transporti. Këto para qytetarëve u grabiten përditë.

SPAK hezitoi gjatë edhe pse letrat i kishte mbi tavolinë.

Por SPAK nuk shpëton dot nga kjo aferë. Nuk mund të mos bëjë asgjë. Është i detyruar të bluajë zyrtarë të korruptuar si një mulli me erë nën presionin e erës së opinionit publik.

Maksimumi, mund të ndajë të bluajë kokrra të vogla zyrtarësh e të vonojë bluarjen e kokrrave të mëdha të ministrave, kryebashkiakut apo kryeministrit.

“Por SPAK sekuestroi inceneratorin e Tiranës. Paratë tona shpëtuan se do t’i administrojë shteti! Zoto e Mërtiri nuk marrin më paratë tona.” - do të thoshte ndokush.

Po sikur e gjitha të jetë një operacion për të kufizuar dëmin? SPAK nuk mund të rrinte më duarkryq. Era e fortë e opinionit publik për milionat e eurove që po u grabiten shqiptarëve e detyron të rrotullojë gurin e blojës e të shkërrmoqë diçka.

Përndryshe duhet të hedhë në blojë ministrin e radhës, e kur të mbarojnë ata, kryebashkiakun, e më pas kryeministrin.

Pra dyshimi mund të jetë se po krijohet ideja se me sekuestrimin e inceneratorit, paratë nuk i marrin më Zoto e Mërtiri për llogari të qeveritarëve që arkitektuan skemën mashtruese mafioze, por do mbeten në xhepat publikë. Edi Rama ndoshta shpreson se kjo ul presionin e erës së opinionit publik mbi mullirin me erë të SPAK, duke ulur ritmin e bluarjes sa të gjendet një skandal taktik tjetër për të tërhequr vëmendjen.

Për fat të keq paratë vazhdojnë e shkojnë në xhepat e Zotos dhe Mërtirit, të cilët deri sa të dënohen me vendim përfundimtar, quhen ligjërisht të pafajshëm.

Inceneratori është sekuestruar vetëm për siguri, por nuk është konfiskuar nga shteti.

Pra kompania mbetet e tyrja dhe paratë e durrsakëve dhe tiranasve vazhdojnë e shkojnë në xhepat e tyre.

Administratori shtetëror vetëm sa do të administrojë paratë e Zotos e Mërtirit. Nuk duhet te lejojë që të paguhen media për propagandë si deri tani, apo që Zoto e Mërtiri të tërheqin para për vete apo të paguajnë vila e pushime qeveritarësh.

Ama paratë mbeten ligjërisht të Zotos e Mërtirit, ndërkohë që sekuestrimi po përdoret nga Rama e Veliaj për të krijuar idenë e rreme të shtetëzimit dhe vënies në vend të drejtësisë.

Opinioni publik ka të drejtën e dyshimit të arsyeshëm. Nga ana tjetër, SPAK ka barrën për të provuar se nuk është pjesë e kësaj skeme, që sekuestrimi nuk është një manovër që i duhet Ramës për të kufizuar dëmin dhe se drejtësia do ta bluajë këtë aferë korrupsioni deri tek kokrra e fundit në majë të qeverisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco