INTERVISTA/ Andis Harasani: Ardhja e Ramës në krye të PS solli atë që po jetohet çdo ditë, eksod masiv dhe skandale

INTERVISTA/ Andis Harasani: Ardhja e Ramës në krye të PS solli atë që po jetohet çdo ditë, eksod masiv dhe skandale

14:22, 01/08/2023
A+ Aa A-

Ish-politikani shqiptar, Andis Harasani, vjen në një intervistë për Syri.net ku ka folur për jetën e tij, punën dhe të shkuarën politike në Shqipëri.

Kur iku nga Shqipëria? Pse iku dhe a është penduar? Historia e tij me Partinë Socialiste. Marrëdhëniet me ish-kolegët. E tashmja dhe një prognozë për të ardhmen e partisë politike, të cilën e përfaqësoi për dy mandate në parlamentin e Shqipërisë.

Këto dhe detaje të tjera rreth ish-politikanit, që shprehet se bën pjesë te “brezi i humbur” në politikën shqiptare, mund t’i zbuloni në këtë intervistë që Harasani ka dhënë për Syri.net.

Z. Andis Harasani përshëndetje dhe faleminderit që pranuat të jepni këtë intervistë për Syri.net.

Ne nuk jemi takuar ndonjëherë bashkë personalisht, por unë ju kam ndjekur në aktivitetin tuaj politik sa kohë keni qenë në Shqipëri. Njohja ime për ju si ish-politikan është, një figurë e re politike, i bërë vetë, pra, dua të them jo produkt fondacionesh, dhe i dalë nga koha kur Partia Socialiste, në këndvështrimin tim, ishte vërtetë forcë progresiste. 

-A është vërtetë kështu, dmth qëndron leximi im për profilin tuaj politik? 

Të falenderoj për mundësinë dhe më lejo të mos jem dakord me leximin që më bëni.

Në radhë të parë, jam dakord që Partia Socialiste e asaj kohe ishte një forcë e vërtetë progresiste por ishte shumë më liberale se duhej, i mungonte disiplina e brendshme dhe ndërthurja e interesave të anëtarëve që ta mbante partinë të bashkuar. Në të njëjtën kohë ajo parti vuante në subkoshiencë të të gjithë kryesisë, deputetëve dhe drejtuesve një ndjenjë faji që rridhnin nga PPSH dhe nuk ishin modern sa duhet. Pikërisht këto mungesa shfrytëzoi, duke përdorur gjerësisht shtypin dhe mortaja rilindase.

Une mendoj se nuk arrita kurrë të bëhem një politikan për arsyen se në Shqipëri mungon politika e vërtetë. Çdo gjë vërtitet drejt matjes se kush ka organin më të gjatë. Nuk mund të jetë politikë ajo që po ndodh dhe tani me PD-në, Bashën ose me asamblenë e fundit të PS.

Si mund të jetë politikë shkarkimi i Gjiknurit se nuk ka frymosur brezat me politikën e majtë?  As Marksi nuk bëri sa duhet për këtë…

-z. Harasani, ku jetoni dhe me se merreni aktualisht? 

Momentalisht jetoj në Brooklyn, New York dhe kam një kompani të vogël ndërtimi të cilën e drejtoj.

-Kur keni ikur nga Shqipëria dhe pse? 

Jam larguar nëntë muaj para se të vinte Rilindja në pushtet dhe u largova sepse e shikoja se si po vinin punët dhe fatkeqësisht koha më dha të drejtë.

-Si është dita juaj sot? 

itë e qetë e çdo punëtori ballkanik. Kafe mëngjesi me telefonata për punët e ditës, takime, dreka pune. Mbasditja me pushim dreke (si tirons i vërtetë) e pastaj korrespondencë e kohë me familjen.

-Përveç punës merreni me sport? Cili është hobi juaj? 

Jo nuk para merrem me sport. Ndjek futbollin me shumë kënaqësi ndërsa hobi im ngelet Filatelia.

-z. Harasani është e pashmangshme pyetja politike për ju. Ju keni qenë një gjeneratë në Partinë Socialiste që dukej se premtonit të ardhme progresiste për atë parti, por që me ardhjen e Ramës, profile si juaji nuk bënë hajër (ta themi kështu) në atë parti.

E vërtetë besoj se është. Në një farë mënyre ishim gjeneratë e djegur.

-Çfarë mendoni se solli ardhja e Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste? A u bë ajo parti më e mirë apo…?

Ardhja e Ramës në krye të Partisë Socialiste solli atë që po jetohet çdo ditë në Shqipëri.  Që nga largimi masiv i njerëzve, skandalet e përditëshme, etj.  

Sa për pyetjen tuaj nëse e bëri Rama më të mirë PS-në më lejo t’i bie shkurt që jo vetëm PS-në, por dhe PD-në e shkatërroi.  Ka disa fjalë që zakonisht nuk qëndrojnë bashkë në një fjali, dhe një nga këto raste është “Rama” dhe “më mirë”.

-Nëse mund të më thoni shkurtimisht, PS-ja, më mirë nën udhëheqjen e Fatos Nanos apo Edi Ramës? 

Varet se në çfarë aspekti bëhet krahasimi. Nëse krahasohen për fituese në zgjedhje, PS e Ramës është shumë më efektive.  

Por unë mendoj se nuk ka pikë rëndësie se sa e mirë ose e keqe një parti politike është, por se çfarë i ofron ajo vendit dhe në këtë pikë PS e Ramës nuk shoh se mund të ofrojë ngjyrë tjetër veçse të zezës.

-A keni kontakte ende me njerëz në kupolën drejtuese të partisë, deputet i së cilës keni qenë?

Aspak falë Zotit.

-Ju keni qenë drejtues i KESH-it. A i keni ndjekur zhvillimet në sektorin e energjisë këto 10 vitet e fundit në Shqipëri? Si kanë qenë ato?

Me thënë të drejtën nuk i kam ndjekur. Në Rilindje është e vështirë të ndiqet diçka pasi informacionet fshihen, ndaj e vështirë për të krijuar një opinion.  Por gjithësesi, nuk besoj se ka ndonjë përmirësim pasi çdo gjë nën rilindjen është qokë dhe politikë dhe këto janë dy faktorët nga të cilat sektori ka vuajtur gjithmonë.

-Për shembull, si ju duket ju marrja nga qeveria shqiptare e dy anijeve gjenerator në Vlorë, menaxhimi i burimeve hidrike, shitja edhe blerja e energjisë?

Dy anijet gjeneruese në Vlorë janë shembulli tipik i asaj që thashë më lart. Nuk kanë të bëjnë asgjë me prodhimin e energjisë, por janë thjeshtë qokë dhe vështrim politik.

-z. Harasani çfarë mendoni ju për këtë Parti Socialiste sot, do vazhdojë të jetë grusht e bashkuar rreth liderit apo do të ketë edhe ajo ciklin e saj së shpejti?

-Sigurisht që do të ketë një cikël, por mendoj fatkeqësisht se do të jetë lëngatë e gjatë. Sa për idetë se ndryshimi do vijë nga brenda PS-së, mua më duket ideja si “dëshirë e atij që e thotë”. Pra, ide që vjen nga njerëz që e duan ndryshimin, e shohin se s’mund të vijë nga opozita dhe shpresojnë se do vijë nga brenda PS.

Nuk ka asnjë individ tjetër brenda PS-së përveç Ramës. Kjo është pak, por e saktë.

-Një nga karakteristikat e qeverisjes dhjetë vjeçare të Ramës janë aferat korruptive dhe lëshimi i shokëve nga kryeministri. Cilat afera mund të rendisni ju si më të mëdhatë dhe cilën nga lëshimet e Ramës mund të quani si më të pabesueshmen që ka bërë ndaj ish-bashkëpunëtorëve të afërt? E kam fjalën për Kokën, Dakon, Ahmetajn…

Aferat më të mëdha të kësaj kohe janë çdo cikël zgjedhjesh qoftë lokale qoftë të përgjithshme. Aty fillon dhe merr frymë çdo gjë. Çka ndodh mbrapa me individë të veçantë është thjeshtë rrjedhojë e vjedhjes industriale të zgjedhjeve dhe nuk besoj se ia vlen të harxhosh kohën.  Mbushja e orëve të mediave dhe faqeve të shtypit me individë të veçantë është thjeshtë bari që i hidhet syve votuesve.

-Çfarë menduat kur lexuat lajmin se Taulant Balla u emërua Ministër i Brendshëm i Shqipërisë? 

Me Taulantin kemi qenë miq përpara se të largohem nga Shqipëria. Mbaj mend gjithnjë momentin kur u përplas me Berishën në parlament dhe asnjë nga socialistët nuk lëvizi vendit. E mora dhe e përcolla për në shtëpi.

Me ç’kam lexuar e parë mendoj që nuk është më ai Taulant, por gjithësesi do i uroja urime në një detyrë që kam ndjesinë ja ngecën.

z. Harasani, ndryshe nga shumë intervista që kam bërë më parë, për ju nuk më mbarokan pyetjet, gjithsesi më duhet ta mbyll me dy pyetje të fundit.

-A jeni penduar që keni ikur nga Shqipëria dhe a mendoni të ktheheni ndonjëherë për të jetuar këtu?

E kam si parim që nuk para pendohem për gjërat që bëj, por mendoj largimi nga Shqipëria, duke parë si po shkojnë gjërat ishte hapi i duhur.

-Dhe e fundit, mund të më përshkruani me nga një fjali Fatos Nanon, Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën?

Fatos Nano – Liberal dhe mik i mirë.

Edi Rama – Interesaxhi.

Sali Berisha – Politikan dhe burrë.

Ilir Meta – I pavendosur në momentet që duhet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Tironci01/08/2023 14:51

Pse se keni pyetur si i fitoi ato mil.$ ne "burse" Ose me mire sa lek vodhi kur ishte dr.i KESH_it ?

Shto koment

Denonco