Sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës/ Gazment Bardhi: Përgjegjësit të përballen me drejtësinë

Sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës/ Gazment Bardhi: Përgjegjësit të përballen me drejtësinë

13:21, 01/08/2023
A+ Aa A-

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pasi SPAK vendosi sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës “Integrated Energy”.

Bardhi shprehet se përgjegjësit për këtë aferë duhet të përballen me drejtësinë dhe se paratë e vjedhura të qytetarëve duhet të kthehen në buxhetin e shtetit.

Reagim i Gazment Bardhit:

Sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës është vetëm hapi i parë, por i domosdoshëm, i rrugës për të bërë drejtësi për aferën korruptive të Edi Ramës dhe Erjon Veliajt. Paratë e vjedhura qytetarëve duhet të kthehen në buxhetin e shtetit.

Përgjegjësit për këtë aferë duhet të përballen me drejtësinë. SPAK është në rrugën e duhur për të berë realitet ndëshkueshmërinë e çdo zyrtari të lartë të korruptuar. Askush mbi ligjin është më afër se kurrë. 

Sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës

Sipas SPAK, ka rezultuar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy”, me kosto të investimit të parashikuar në kontratën koncesionare në vlerën mbi 128 milion euro.

Gjithashtu, dy biznesmenët rezultojnë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.

“Nga provat e marra gjatë hetimit ka rezultuar se, shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k”, raporton Prokuroria e Posaçme.

Sipas SPAK, Klodian Zoto, në bashkëpunim me Mirel Mërtiri, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409,428,000 (katërqind e nëntë milion e katërqind e njëzet e tetë mijë) lekë.

Klodian Zoto, raportohet se është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Energy Services”, si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy”.

Po ashtu, është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k. Të treja kët kompani në zotërim të dy biznesmenëve janë sekuestruar nga SPAK.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco