Fitoi gjyqin në Strasburg, qeveria paguan dëmshpërblimin për ish-prokuroren Antoneta Sevdarin

Fitoi gjyqin në Strasburg, qeveria paguan dëmshpërblimin për ish-prokuroren Antoneta Sevdarin

18:04, 26/07/2023
A+ Aa A-

Një ndër vendimet e marra në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, është ai që i hap rrugë pagesave për llogari të ish-anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Antoneta Sevdari.

Ish-prokurorja u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit më 28 shkurt 2019, por ia doli të triumfojë në Gjykatën e Strasburgut, ku vetting-u doli ngelës.

Më 13 dhjetor të vitit të shkuar ‘Strasburgu’ doli në konkluzionin se ka pasur shkelje gjatë procesit të vlerësimit ndaj ish-anëtares së KLP-së, Drejtësia europiane vendosi që shteti shqiptar të dëmshpërblejë të gjitha shpenzimet e kryera gjatë procesit nga ana e prokurores së shkarkuar.

Sipas përllogaritjeve për llogari të Sevdarit do të shkojnë 19.600 euro që lidhen me dëmin pasuror dhe jopasuror, si dhe 5.000 euro për kostot dhe shpenzimet. Për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është caktuar përgjegjëse Ministria e Financave.

VENDIMI PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 13.12.2022, PËR ÇËSHTJEN ‘SEVDARI KUNDËR SHQIPËRISË’ (PËR KËRKESËN NR.40662/19)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, ‘Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore’, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, ‘Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.84/2022, ‘Për buxhetin e vitit 2023’, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 13.12.2022, për çështjen ‘Sevdari kundër Shqipërisë’, kërkesa nr.40662/19, përfundimtar në datën 13.3.2023, në shumën 19 600 (nëntëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind) euro, në lidhje me dëmin pasuror dhe jopasuror, si dhe në shumën 5 000 (pesë mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohet shuma në datën e kryerjes së pagesës.

3. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkueses Antoneta Sevdari, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 13.12.2022, ‘Sevdari kundër Shqipërisë’, kërkesa nr.40662/19.

4. Pagimi i shumës të depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkueses Antoneta Sevdari, bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.

5. Mbi shumën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, duke filluar nga data 13.6.2023 deri në datën e ekzekutimit të këtij vendimi, paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3 (tre) %.

6. Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2023.

7. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në ‘Fletoren zyrtare’.

K R Y E M I N I S T R I

 

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco