Vizita në SHBA/ Ilir Beqes i refuzohet viza amerikane?!

Vizita në SHBA/ Ilir Beqes i refuzohet viza amerikane?!

22:50, 19/07/2023
A+ Aa A-

Prej disa ditësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhet për vizitë një delegacion i qeverisë shqiptare i kryesuar nga zv.kryeministrja dhe njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku. Fokusi i vizitës janë takime të nivelit të lartë politik në OKB dhe Washington për diskutimin e axhendës së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Një burim diplomatik i tha Lapsi.al se ishte parashikuar që pjesë e këtij delegacioni të ishte edhe Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë që Edi Rama e fuqizoi në mandatin e tretë duke i krijuar një agjenci që administron gjithë fondet ndërkombëtare dhe ndihmën e huaj për Shqipërinë (SASPAC).

Por në të vërtetë Beqaj nuk e kaloi dot oqeanin për të mbërritur në SHBA. Sipas po të njëjtit burim për Lapsi.al, ish-ministri me një çështje të hapur në SPAK, nuk arriti dot të pajisej me një vizë nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Nuk është e qartë nëse kemi të bëjmë me refuzim të vizës amerikane për Ilir Beqajn apo tërheqje të këtij të fundit nga aplikimi duke e njohur pikërisht raportin e vështirë që ka me selinë diplomatike të Rrugës së Elbasanit. Fakt është që ai nuk udhëtoi dot për SHBA bashkë me delegacionin e kryesuar nga Belinda Balluku.

“Shuplaka” e Yuri Kim për Ilir Beqen

Në korrik të vitit të shkuar, ambasadorja amerikane Yuri Kim bëri një largim demonstrativ prej një takimi të organizuar nga Ministria e Brendshme në momentin kur fjalën e mori Ilir Beqaj. Braktisja e takimit nga ambasadorja e SHBA ndërsa fliste Ilir Beqja dha një mesazh të fortë, se rehabilitimi i tij nuk do të pranohej nga amerikanët, të cilët kanë ndikim të fortë në SPAK. Pas Yuri Kim nuk qëndroi për të dëgjuar fjalën e Beqes as ambasadori i BE-së atëkohë, Luigi Soreca. Në mënyrë sistematike më pas, edhe pasuesja e Sorecas në Tiranë, ka shmangur çdo takim ku ishte i pranishëm Ilir Beqja.

Sa i përket incidentit me Yuri Kim, ambasada e SHBA atë mbrëmje ishte kujdesur të servirte në media pikërisht injorimin që kryediplomatja amerikane i bëri Beqes. Tv News 24 raportoi atë çfarë e fshehën me mjeshtëri nga regjia qëndrore propagandistët e Rilindjes. Pra, amerikanët ishin të interesuar që çfarë ndodhi në “Rogner” të merrej vesh publikisht dhe ashtu ndodhi.

Dosja në SPAK

Pak javë pas krijimit të SPAK, Nisma Thurje depozitoi më 23 dhjetor 2019, një kallëzim dhe kërkoi vendosjen para përgjegjësisë penale të zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilit kishin nëshkruar kontratën koncesionare të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë USD.

Prej 4 vitesh, SPAK ka regjistruar një procedim lidhur me këtë kallëzim për të tre veprat penale të denoncuara, përfshirë “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”; “shpërdorimi i detyrës”; “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” – por ende nuk ka evidentuar zyrtarët përgjegjës për kryerjen e tyre. Në pyetje është marrë nga prokurorët edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Sot 4 vite më pas nuk dihet fati i kësaj dosje edhe pse ishte denoncimi i parë që u depozitua në SPAK.

Lidhja me Ramën

Miqësia mes Edi Ramës dhe Ilir Beqjas është e hershme. Në rini, të dy qenë basketbollistë në skuadrën e Dinamos. Beqja qe një nga prurjet ekskluzive të Ramës në Partinë Socialiste, që vazhdoi më pas me zgjedhjen si deputet dhe katapultimin si ministër. Me pak fjalë, të dy njihen prej një jete.

Edhe pse vazhdimisht ai ka qenë një ushtar i bindur i Edi Ramës dhe ka bërë gjithcka ka dashur kreu i organizatës së Rilindjes, Beqaj nuk ka asgjë të sigurt që ai s’do të ketë fatin e Lefter Kokës, Vangjush Dakos, Alqi Bllakos, Saimir Tahirit, Safet Gjicit e Arben Ahmetajt së fundi.

Mbetet për t’u parë çfarë do të bëjë SPAK me dosjen e aferës së koncensionit të sterilizimit e çfarë do të vendosë më pas vetë Edi Rama, do ta çojë te shokët e tjerë të partisë në qeli edhe Ilir Beqen apo do të bëhet mburojë për arrestimin e tij përmes kontrollit që kryeministri ka në sistemin e drejtësisë së re?!/lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco