Rraja dorëzon mandatin/ Si e fuqizoi Edi Rama bandën e tij me pushtet

10:00, 10/07/2023
A+ Aa A-

Rrahman Rraja ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen nga mandati i deputetit në Kuvendin e Shqipërisë. Rraja dha dorëheqjen pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Krujë, kur vëllezërit dhe djali i tij, së bashku me anëtarë të tjerë të fisit, dhunuan barbarisht dy kushërinjtë Maja, pasi ishin ankuar për shpërthimet në guroren e Përparim Rrajës.

Në vend të tij, në radhët e socialistëve, pritet të ulet Arkend Balla.

Për Rrahman Rrajën, deputetin socialist që nuk foli asnjëherë në Kuvend, mund të mos kishte dëgjuar kush deri kur ndodhi denoncimi për dhunën e ushtruar nga djali i tij ndaj një vajze të quajtur Xhisiela Maloku.

Ky denoncim vetëm sa zbuloi në sytë e opinionit një bandë mafioze, të mbështetur nga Edi Rama dhe Taulant Balla, që kontrollonte zonën e Krujës dhe Fushë-Krujës që kur socialistët erdhën në pushtet në vitin 2013.

Për të zgjeruar të gjithë autoritetin kriminal dhe intimidues në këtë zonë, Rama vendosi që me reformën e tij të bashkojë në një bashki, Krujën dhe Fushë-Krujën. Ky ishte momenti kur deputeti dhe kreu i kësaj bande, do emërohej nënkryetari i bashkisë në vitin 2015, për t’u bërë më vonë deputet.

Nuk është rastësi, që kur vendosën të pushtojnë komisariatin dhe të kërcënojnë oficerin Emiljano Nuhu, Rraja u shfaq në krah të Artur Bushit. Sigurisht në krye të kërcënuesve qëndronte i përhershmi i krimit në PS, Taulant Balla.

Pavarësisht reagimit të fortë të opinionit publik, Rama e mbrojti hapur bandën e tij në disa raste, duke mos u distancuar prej tyre e duke u dhënë akoma më tepër fuqi.

Kjo fuqi e frikshme u zbulua në një seri krimesh të mëvonshme. Vëllai i Rrahman Rrajës, Xhelali që udhëhiqte bandën që dhunoi dy anëtarët e fisit Maja, ishte personazhi kyç në grabitjen e Postës së Krujës. Ai ishte drejtor në kohën kur në mënyrë misterioze u zhdukën 110 milionë lekë.

Por ndoshta krimi më i rëndë ishte sulmi me armë mbi prokurorin Arjan Ndoja, me protagonist një tjetër, Redjan Rrajën.

Historitë e krimit nuk ndaleshin, ndërsa një aktor kryesor i tyre ishte nipi i deputetit, Ramazan Rraja. Emri i tij del si protagonist në disa prej krimeve më të rënda në zonën mes Durrësit, Krujës dhe Lezhës. Pavarësisht kësaj, policia nuk guxon ta ndalojë atë. Në një rast vetëm sa i kërkoi dokumentet e makinës së blinduar, duke sjellë revoltën e babait të tij, Xhelalit.

Në vitin 2020, ishin autoritetet e Brukselit që informuan se banda e Rrajave lëvizte një nga linjat më të rëndësishme të trafikut të kokainës mes Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë. Sërish në krye të kësaj bande, nipërit e Rrajës, Ramazani dhe Fjoralbi.

Mbrojtja që u ka dhënë dhe u jep Edi Rama atyre i ka bërë të paprekshëm, aq sa kur kryejnë ndonjë krim, policia nuk guxon as t’u përmendë emrin. Pas dhunës mbi kushërinjtë Maja, policët as nuk mbanin dot shënim.

Ky kombinim i frikshëm krim-politikë-drogë-pushtet i ka bërë ata faktor të rëndësishëm për të mbajtur në këmbë makinerinë elektorale të Edi Ramës. Prandaj u ofron mbrojtje sa herë bëjnë krime. Qoftë duke folur, qoftë edhe duke heshtur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco