SYRI TV/ Aktivistët kundër ndërtimit të Aeroportit të Vlorës: Dëme të parikuperueshme në mjedis

17:22, 09/05/2024
A+ Aa A-

 

Një grup aktivistësh dhe përfaqësues të organizatave mjedisore kanë depozituar në kryesinë e Kuvendit 140 kopje të vendimit të Konventës së Bernës, që nxit qeverinë shqiptare të ndalojë punimet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë.

Aktivistët shprehin kundërshtinë për ndërtimin e aeroportit, duke shpjeguar dëmet e parikuperueshme që shkaktojnë në mjedis ndërtimet në zonë të mbrojtur.

SYRI TV

Në Ditën e Evropës një grup aktivistësh, ekspertë mjedisi dhe përfaqësues të organizatave mjedisore kanë protestuar në mënyrë simbolike duke shprehur kundërshtinë për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Ata kanë depozituar në kryesinë e Kuvendit 140 kopje të vendimit të Konventës së Bernës, që qartazi është kundër ndërtimit të aeroportit në zonë të mbrojtur.

Teksa shpjegoi dëmet e mëdha dhe të parikuperueshme për mjedisin që vijnë nga ndërtimi i aeroportit, eksperti i mjedisit Lavdosh Ferruni e konsideroi arrogant qëndrimin e qeverisë për vijimin e punimeve, në kundërshtim me rekomandimet.

Në dhjetor të vitit të kaluar Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës nxiti qeverinë shqiptare të ndalojë punimet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë, duke përsëritur qëndrimin e shprehur në shtator përmes një rekomandimi zyrtar.

Pjesëtarët e Konventës shprehën shqetësimin e lartë në lidhje me vazhdimin e punimeve të aeroportit, duke nxitur autoritetet shqiptare të punojnë së bashku me shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesit për një studim të thelluar të ndikimit në mjedis, teksa do të raportojnë në qershor për hapat e hedhur në zbatim të rekomandimeve të Konventës.

Por duket se kryeministri Rama nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e ndërkombëtareve, pasi disa muaj më parë së bashku me ministren Balluku kryen një inspektim në zonën ku po ndërtohet aeroporti, ndërsa punimet vijojnë.

Aeroporti i Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh me një vlerë të parashikuar të investimit rreth 104 milionë euro, teksa punimet pritet të përfundojnë në dhjetor të 2024-ës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco