SYRI TV/ Thellohet skandali: Felaj i hapi rrugën 'pushtimit' të prokurorisë

11:23, 28/06/2023
A+ Aa A-

Thellohet skandali i emërimeve  në Prokurorinë e Tiranës, të familjarëve të deputetes së PS, Ermonela Felaj. Ligjvënësja socialiste është një prej iniciatorëve të ndryshimit të ligjit që i hap rrugë emërimit të rrethit familjar në organin e akuzës. Bashkëshorti, vëllai, motra dhe kunata e deputetes së PS Ermonela Felajt, punojnë tashmë në Prokurorinë e Tiranës, një inflacion familjar që moralisht nuk qëndron, por e mbron ligji i ndryshuar nga maxhoranca.

SYRI TV

Deputetja socialiste, Ermonela Felaj, është një prej iniciatorëve të ndryshimit ligjor, i cili i hapi rrugën emërimit të 4 familjarëve të saj në Prokurorinë e Tiranës. Më herët, KLP ka emëruar si prokurorë në akuzën e kryeqytetit Bledar Valikajn dhe Alma Felaj, përkatësisht bashkëshorti dhe kunata e deputetes.

Po ashtu, në Prokurorinë e Tiranës punon edhe vëllai i Ermonela Felajt, Armandi, i cili është oficer i Policisë Gjyqësore. Ndërsa në fund të kësaj jave, Këshilli i Lartë i Prokurorisë shqyrtoi kërkesën e prokurores Eranda Felaj, motrës së ligjvënëses socialiste, për t’u transferuar në Prokurorinë e Tiranës.

Siç u tha në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pavarësisht se ky inflacion familjar moralisht nuk qëndron, gjithçka është brenda ligjit. Dhe, në këtë pikë, ka rol të dorës së parë deputetja Ermonela Felaj. Në vitin 2016, Parlamenti miratoi ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i cili parashikonte se nuk mund të punonin si magjistratë në një gjykatë apo prokurori persona që kishin lidhin familjare apo krushqi të afërt.

Në vitin 2019, Parlamenti miratoi një ndryshim ligjor, në të cilin hoqi ndalimin për personat që kishin lidhje krushqie. Pra, magjistratë me lidhje të tilla, mund të punojnë në një gjykatë apo prokurori. Ky ndryshim ligjor është bërë bazuar në një propozim të firmosur nga disa deputetë socialistë, përfshirë edhe vetë Ermonela Felaj.

Qëllimi i atij ligji, siç thuhet në dokumentin e nënshkruar nga Felaj, thuhet se është shmangia e papërputhshmërisë ambientale mes magjistratëve, pra që në një prokurori apo gjykatë të mos punonin gjyqtarë e prokurorë që janë familjarë me njëri-tjetrin. Por, përtej qëllimit të shprehur në letra, ai ndryshim ligjor i hapi rrugën emërimit të 4 prokurorëve Felaj në Prokurorinë e Tiranës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco