Arrestimi i Fredi Belerit, DASH: Autoritetet të zbatojnë ligjet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë

Arrestimi i Fredi Belerit, DASH: Autoritetet të zbatojnë ligjet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë

11:05, 13/05/2023
A+ Aa A-

Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar pas arrestimit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri. Një zyrtar i DASH pasi është pyetur nga një gazetar i Iefimerida-s në Uashington është shprehur se është e rëndësishme që të gjithë të respektojnë ligjet dhe rregullat e zgjedhjeve. DASH i ka bërë thirrje autoriteteve që të zbatojnë ligjet dhe rregullat në mënyrë të drejtë dhe barabartë.

Në reagimin e DASH theksohet gjithashtu, se është përgjegjësi e autoriteteve që të garantojnë zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare dhe të ndalojnë shit-blerjen e votës.

“Ne kemi kërkuar vazhdimisht nga autoritetet dhe partitë politike që të garantojnë që votuesit të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike për të shprehur vullnetin përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Është e rëndësishme që të gjithë të respektojnë ligjet dhe rregullat që rregullojnë zgjedhjet, si dhe rregullat ndërkombëtare, duke përfshirë ndalimin e blerjes ose shitjes së votave. U bëjmë thirrje autoriteteve që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregullat në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Zyrtarët e ambasadës amerikane i janë bashkuar institucioneve të tjera ndërkombëtare për të monitoruar zgjedhjet në të gjithë vendin”, u shpreh zyrtari i DASH sipas medias greke.

Fredi Beleri u vu në pranga me urdhër të Prokurorisë së Vlorës për korrupsion aktiv në zgjedhje. Në pranga u vu edhe Pandeli Kokoveshi i akuzuar për të njëjtën vepër penale. Policia thotë se pas arrestimit të tyre ka sekuestruar një shumë parash prej 40 mijë Lekësh të rinj (Lexo më shumë).

Arrestimi i Fredi Belerit erdhi 48 orë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore të 14 Majit, ku 51-vjeçari garon përballë kryetarit aktual të bashkisë, Gjergji Goro, i cili kërkon një mandat tretë.

Fredi Beleri u bë pjesë e debatit politik në mesjavë edhe për shkak të një deklarate që bëri gjatë një interviste për gazetën greke ‘Protothema’, në të cilën ai përmendi një plan për helenizimin e Himarës, çka ai e mohoi më vonë./tvklan.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco