INTERVISTA/ Pashk Gjoni përballë agresionit të mazhorancës: Në Lezhë, rezultati 3 me 0

INTERVISTA/ Pashk Gjoni përballë agresionit të mazhorancës: Në Lezhë, rezultati 3 me 0

12:32, 26/04/2023
A+ Aa A-

Pashk Gjoni: Arroganca e palës kundërshtare në këtë fushatë  ka kaluar çdo lloj norme, çdo lloj imagjinate: intimidojnë punonjësit, intimidojnë tregtarët, intimidojnë, biznesmenë, iu kërkojnë lista, iu kërkojnë lista me nga 20 vetë; inspektorë tatimesh, drejtorë tatimesh që thërrasin biznesmenë në zyrë dhe iu kërkojnë listën me nga 20 emra, iu kërkojnë karta identiteti, iu kërkojnë të marrin pjesë në takime; punonjësve të administratës iu kërkojnë lista të familjarëve, deklarim votash. 

"Në qoftë se do tentojnë të jenë burra të fortë në prekjen e zgjedhjeve do ta kenë punën keq."

"Vizioni për Lezhën: Kombinimi i turizmit bregdetar me turizmin kulturor është gjëja më e bukur. Zgjatja e sezonit turistik nga prilli në tetor. Binjakëzim me vende të tjera, vendet e ftohta. Po para të gjithave, stretegji e veçantë kundër përmbytjes." 

Intervistë me z. Pashk Gjoni, kandidat i koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Lezhës, dhënë gazetarëve Flavio Qarri dhe Ola Bregu sot në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV.

Kafe Shqeto: Z. Gjoni, keni premtuar një rezultat të jashtëzakonshëm, 3-0. Përse mendoni se këto zgjedhje do të jenë fundi i kësaj qeverie?

Pashk Gjoni: Kam premtuar një rezultat 3-0 në qarkun e Lezhës dhe tre me zero do të jetë për një arsye krejt të thjeshtë, se të tri kandidatët, si kandidati i bashkisë së Lezhës që jam unë, kandidati i bashkisë Mirditë që është z. Mëlyshi dhe kandidati i bashkisë Kurbin që është z. Haxhiu, janë kandidatë të ardhur nga zgjedhjet primare të zhvilluara më 4 dhjetor. Janë risia e parë dhe risia më e gjetur  që PD në këto dekada ka aplikuar. Janë zgjedhje ku demokratët të lirë, kanë votuar, kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe rezultati ka qenë tri kandidatët që jemi në garë sot. Ajo që unë vë re në gjithë këtë kohë nga rezultatet e primareve është që demokratët janë të bashkuar, janë të lidhur më tepër se kurrë me kandidatët e tyre sepse janë produkt i tyre, produkt i një zgjedhjeje të lirë dhe për këtë arsye, është arsyeja kryesore që demokratët shkojnë të bashkuar në zgjedhjet e 14 majit.

Arsyeja tjetër madhore është një keqqeverisje që ne po e takojmë, po e prekim çdo ditë. Qytetarët si të bashkisë Lezhë, si të Mirditës dhe të Kurbinit, e shohin, e kanë prekur në këto dhjetë vite, por në mënyrë të veçantë këto katër vite kur bashkitë u morën në tavolinë, u morën pa garë, u morën si u morën. Si u morën e kanë parasysh të gjithë shqiptarët; duke i marrë pa garë, në tavolinë, edhe i menaxhuan si një rrobë tregu, si një rrobë pa asnjë vlerë dhe bënë si deshën. Ajo shprehja e famshme “gjetën shesh, bënë përshesh” është më se evidente si në Lezhë, si në Kurbin, si në Mirditë.

Kafe Shqeto: Duket sikur ka një nervozizëm nga pala kundërshtare, në nivele shqetësuese…

Pashk Gjoni: Ajo që do të thosha dhe që vë re,  e prek çdo ditë është se arrogance e tyre ka kaluar çdo lloj norme, çdo lloj imagjinate: intimidojnë punonjësit, intimidojnë tregtarët, intimidojnë, biznesmenë, iu kërkojnë lista, iu kërkojnë lista me nga 20 vetë; inspektorë tatimesh, drejtorë tatimesh që thërrasin biznesmenë në zyrë dhe iu kërkojnë listën me nga 20 emra, iu kërkojnë karta identiteti, iu kërkojnë të marrin pjesë në takime; punonjësve të administratës iu kërkojnë lista të familjarëve, deklarim votash. Disa çmenduri që nuk janë të denja jo për një vend demokratik siç është Shqipëria, por kurrkund në botë. Kjo është pjesa më e dukshme e frikës, e terrorit që i ka kapur por unë nuk do të thosha se këtu është e ndarë në bastione të djathta, në bastione të majta. Lezha është një qytet kulture, një qytet intelektual, një qytet që nuk e duron arrogancën e pushtetit dhe të individëve të veçantë dhe qetë - qetë, pa shumë zhurmë, ditën e votimit do të dinë të bëjnë zgjedhjen e tyre, do të dinë sit ë votojnë, do të dinë se kë të votojnë.

Unë jam qytetar që shërbej si mjek ortoped në qytetin e Lezhës prej 30 vjetësh, 33 vjet në profesion; jam një mjek, qytetar lezhjan që kam rritur familjen, kam rritur kalamajtë në këtë qytet, jetoj prej 33 vitesh në këtë qytet; ngrysem dhe zgjohem në këtë qytet; iu kam shërbyer si natën, si ditën, kam një lidhje me këta qytetarë, ndërkohë që një kryetar bashkie prej katër vitesh ka ardhur i katapultuar këtu dhe do të ikë nga ky qytet pa kthyer kokën mbrapa. Qytetarët këtë e dinë mirë, e shohin dhe dinë të bëjnë vlerësimin.  

Kafe Shqeto: Te programi juaj keni premtuar se nëse vini në pushtet pas datës 14 maj, do të përfshini në 40% të bashkisë, të këshillit bashkiak, të rinjtë. Pse ky vendim nga ana juaj dhe si do të ndikojë përfshirja e të rinjve në zhvillimin e qytetit të Lezhës?

Pashk Gjoni: Duhet të keni parasysh se ky është një premtim imi dhe një premtim që unë do të bëj çmos dhe do ta mbaj, sepse si tip, si njeri, si mjek dhe qytetar i thjeshtë fjalën e quaj të shenjtë. Do ta mbaj për një arsye krejt të thjeshtë. Lezha dhe gjithë Shqipëria, por Lezha si të gjitha qytetet vuan shpopullimin dhe shpopullimi është kryesisht nga të rinjtë, që do të thotë se të rinjtë janë larguar nga qyteti, një pjesë e vogël ka migruar në qytete të tjera siç është Tirana stacioni i fundit, pjesa më e madhe e tyre ka ikur dhe është në Europë. Arsyeja e parë pse ikin e dimë, nuk kanë punë; ndihen të pasigurt dhe rruga e shpëtimit që kërkojnë të gjejnë është emigrimi në Europë.

Në qoftë se ne nuk iu hapim një dritare, nuk ia hapim një mundësi të kontribuojnë këtyre të rinjve në zhvillimin e qytetit, në pjesëmarrjen e vendimmarrjen e qytetit, të bashkisë, e njëjta gjë do të ndodhë. Nëse do të vazhdojmë me këto ritme, unë nuk e di se kush do ta qeverisë këtë vend pas disa vitesh. Janë fakte të dala nga institucionet e Bashkimit Europian që janë mbi  950 mijë shqiptarë që kanë kërkuar azil nëpër Europë, por pjesa dërrmuese e tyre, diku te 75% janë mosha më produktive, mosha më e re e popullsisë sonë. Kështu që kjo është e padiskutueshme dhe ky do të jetë qëllimi im i parë, përfshirja e të rinjve në qeverisje.

Kafe Shqeto: A i keni marrë masat për të neutralizuar deformimin e vullnetit të qytetarëve, z. Gjoni?

Pashk Gjoni: Duhet të keni parasysh se kam qenë shumë i preokupuar sepse një pjesë e madhe e qytetarëve ngado që shkon të presin me krahëhapur, të presin entuziastë, thonë se këtë bashki do ta fitojë opozita dhe ne jemi me ju, por ju lutem merrni masa t’i ndaloni të mos na vjedhin rezultatin, merrni masa të mos na blejnë zgjedhjet, merrni masa të mos e shkatërrojnë si proces.

Ajo që do të them unë këtu: Mbani duart larg nga cenimi i procesit zgjedhor, sepse kjo nuk ndodh dhe nuk ka për të ndodhur; unë do të thosha në të gjithë Shqipërinë, por në Lezhë jo e jo. Lezha nuk e pranon, unë nuk e pranoj, koalicioni “Bashkimi për fitore” nuk e pranon këtë gjë dhe kjo nuk mund të ndodhë.

Mund të jenë burra shumë të fortë, po mund të jenë në shtëpinë e tyre. Në qoftë se do tentojnë të jenë burra të fortë në prekjen e zgjedhjeve do ta kenë punën keq. Do ta kenë punën keq me demokratët, do ta kenë punën keq me votuesit, do ta kenë punën keq me komisionerët, do ta kenë punën keq me ligjin. Çdo komisioner që merr pjesë në zgjedhje dhe tenton të anashkalojë procesin zgjedhor, ta prishë procesin zgedhor, duhet ta kuptojë mirë se ky është një krim që gjykohet nga SPAK dhe unë nuk mendoj që një komisioner, sado i fortë, sado i guximshëm të jetë do të marrë përsipër një barrë të tillë që të tentojë të deformojë procesin zgjedhor dhe nesër pasnesër të gjendet përpara drejtësisë. Përse?! Sepse ka dashur të bëjë diçka të paligjshme.

Ne si koalicion po kërkojmë diçka të thjeshtë, fare të thjeshtë: të shkojmë të votojmë të lirë, të votojmë si njerëz të qytetëruar, të votojmë si një shtet demokratik, të numërojmë rezultatin. Kush fiton i shtrëngon dorën tjetrit dhe shkon në punën e tij. Nuke kuptoj se kush mund të jetë gjëja më e thjeshtë që mund të kërkohet në një garë.

Kafe Shqeto: Pas fitores, cili do të jetë vizioni juaj për Lezhën? Çfarë qyteti do të jetë Lezha, një pikë kalimi apo një destinacion?

Pashkë Gjoni: Lezha edhe pse këta qeveritarë kanë tentuar ta bëjnë një pikë kalimi, edhe kjo ka kohë që tentohet të bëhet, po nuk mund të bëhet sepse vetë pushuesit, vetë turistët…Lezha ka turizmin bregdetar, turizmin detar  pikën më të fortë të të ardhurave të turizmit dhe të lëvizjeve, por kjo nuk është njëra anë. Ana tjetër është se Lezha ka një turizëm kulturor që mund të marrë një zhvillim të madh dhe të jetë një burim i jashtëzakonshëm të ardhurash për këtë bashki. Por në mënyrë të veçantë, kombinimi i turizmit bregdetar me turizmin kulturor është gjëja më e bukur.

Unë do të thosha se një nga detyrat e bashkisë është zgjatja e sezonit turistik. Jo një sezon turistik i cunguar që shkon një muaj e gjysmë, dy muaj po një sezon turistik shumë më i gjatë që të fillojë në prill dhe të përfundojë në tetor. Një sezon turistik i tillë bëhet i mundur me ndërhyrjen e kryebashkiakut, me vende, me gjetjen e tregjeve turistike nëpër Europë, ka sa të duash zgjidhje.

Unë kam qenë kryetar i Këshillit të Qarkut dhe sot e kësaj dite iu kam lënë binjakëzim me një rajon të Polonisë, që nuk e di ku ka përfunduar në sirtar po ishte shumë produktiv. Polakët ishin dhe janë shumë të interesuar për bregdetin shqiptar. janë me dhjetëra polakë që kanë blerë dhe hyrje në Shëngjin. Kjo duhet shfrytëzuar. Nuk shfrytëzohet vetëm me një rajon. Ka vende të tjera, vende të  ftohta, vendet nordike që sezoni turistik për ta është i shkëlqyer të fillojë në fund të prillit, në maj por për bashkinë tonë është një burim ardhurash.

Ju shikoni vetëm një diçka,  si e kanë lënë turizmin, shikoni vetëm hyrjen e Shëngjinit, nuk është e denjë dhe për një fshat nga më të humburit jo për një destinacion turistik siç është Shëngjini. Kur të kaloni e të vini për në Lezhë shikoni se si bashkia s’ka marrë mundimin të vërë një tabelë që thotë “Plazhi i Tales”, që plazhi i Tales është një nga destinacionet turistike bregdetare më të lakmueshme. Nuk ka një tabelë tek kryqëzimi i Shënkollit që thotë “Plazhi i Tales”, një metër, dy metra katrorë tabelë që njerëzit ta shohin e të dinë nga të kthehen, nga të orientohen.

Një nga pikat e tjera jua thashë do të jetë kultura, turizmi kulturor, por kultura në përgjithësi, lidhja dhe krijimi i një zinxhiri ku kalamanjtë, fëmijët, nxënësit të jenë të lidhur me institucionet kulturore, ku të bëhet e mundur nxitja dhe stimulimi i talenteve të reja. Nuk mund të jetë salla e Pallatit të Kulturës sallë ku bëhen veç evente, mbledhje dhe takime elektorale, takime jo të natyrës kulturore.

Kafe Shqeto: Ka dhe pika të tjera ku ju do të fokusoheni pas 14 majit. A mund të na thoni diçka më konkrete?

Pashk Gjoni: Kjo ka lidhje me vendimet e Këshillit, ku aq sa i lejon ligji, Këshillit Bashkiak, t’i favorizojë në uljen e taksave vendore që paguajnë pranë bashkisë së Lezhës, të rinjtë që hapin aktivitet. E dyta, stimulimi i tyre dhe qënia garant e atyre që kërkojnë të marrin kredi për biznes, sa mund të jetë garant bashkia dhe duhet ta bëjë këtë dhe asistenca e tyre me specialistë që duhet të bëhet nga bashkia.

Një nga pikat e tjera, është strategjia antipërmbytje. Ju e dini që Lezha është një vend që vuan jashtëzakonisht shumë nga përmbytjet. Ju e keni parë herët e fundit që me shumë pak minuta shi, Lezha ka qenë në ujë. Kjo do strategji të veçantë. Unë nuk arrij ta kuptoj se si një bashki që këta e ka problem të përvitshëm nuk ka një mjet, një dragë për thellimin e Drinit. Drini i kthyer në kanal tashmë, por në momente të caktuara me pak shi duke mos funksionuar, duke mos qenë i pastruar, përmbytet. Pastrimi, rregullimi dhe sistemimi i kanaleve të dyta që bëjnë përmbytjen e zonave të tëra siç është zona ishujt, komuna e Zejmenit me Treshin e Spitin, pjesa e Torovicës që është bërë problem disa herë edhe në parlament nga deputetja jonë, ndërtimi dhe sistemimi i i hidrovorit të Torovicës. Tashmë gati jashtë funksionit, sepse niveli i tokës ka rënë, hidrovori është në ato nivele ku është ndërtuar dhe duhet bërë i ri. Nuk e ka vrarë kush mendjen për këtë punë. Kështu që strategjia antipërmbytje është një nga strategjitë që duhet të ndiqet me përparësi nga bashkia./ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë në video me z. Pashk Gjonin

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco