SYRI TV/ Bashkia në falimentim, Krali i Kavajës hap ‘thesin’ për zgjedhje

12:15, 26/04/2023
A+ Aa A-

Ndonëse e ka çuar bashkinë drejt falimentimit, kryebashkiaku socialist i Kavajës, Redjan Krali ka zgjidhur qesen në prag të zgjedhjeve të 14 majit. Krali ka hapur një tender me vlerë 2 milionë euro për rindërtimin e kopshtit në Golem. Redjan Krali duket se ka kopjuar Erion Veliajn, duke rindërtuar me kosto të larta objektet arsimore. Por veç kostove, ky tender po kryhet me nxitim, pasi duket se bashkia kërkon të shpallë fituesin e prokurimit para mbajtjes së zgjedhjeve në 14 maj

SYRI TV

Kavaja është cilësuar nga vetë qeveria e kryeministrit Edi Rama, si një ndër bashkitë me probleme financiare, apo thënë ndryshe të falimentuara.

Kjo nuk e ka penguar Redjan Kralin, që kërkon një mandate të dytë në bashkinë që falimentoi, të hapë thesin në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit.

Në datën 24 prill, pra dy ditë më parë, kryebashkiaku i Kavajës ka hapur një tender me vlerë 208 milionë lekë, apo rreth 2 milionë euro, për rindërtimin e kopshtit dhe çerdhes në fshatin Golem.

Sipas projektit, godina që do të rindërtohet do të jetë dy kate, me funksion ofrimin e shërbimit edukativ dhe hotelier për fëmijët e këtij fshati. Mirëpo, ky tender i hapur nga Redjan Krali, që do duhet të mbante përgjegjësi për keqadministrimin e taksave të qytetarëve duke çuar bashkinë në faliment, ka disa hije të forta dyshimi.

Së pari, tenderi është hapur me procedurë të kufizuar, duke lënë shumë pak kohë për garë. Thënë ndryshe, kompanitë e interesuara për të marrë pjesë në garën për këtë tender, do të kenë 10 ditë kohë, deri në 4 maj të këtij viti, të dorëzojnë ofertat për këtë tender. Më pas, vetëm pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, pritet të bëhet vlerësimi ofertave dhe shpallja e fituesit.

Por përtej këtij fakti, ajo që ngre dyshime të tjera të forta është kostoja e lartë që paraqitet për ndërtimin e këtij kopshti. Dukshëm, bashkia e Kavajës, për ndërtimin e një çerdheje po përdor të njëjtat kosto sa bashkia e Tiranës, e cila është vënë shpesh në qendër të akuzave se ndërton me kosto disa herë më të lartë se normat e Bashkimit Europian apo Bankës Botërore.

Edhe në Kavajë, Redjan Krali po ndjek shembullin e drejtuesit të tij politik, Erion Veliaj, duke shpenzuar miliona euro për ndërtimin e një objekti, ku në bashki të tjera të vendit të tilla objekte ndërtohen me shumë më pak para.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco