Shashka elektorale/ Rama shpik një projektligj për gjyqet e arbitrazhit

Shashka elektorale/ Rama shpik një projektligj për gjyqet e arbitrazhit

09:29, 21/04/2023
A+ Aa A-

Qeveria miratoi dje një projektligj për “Arbitrazhin” brenda republikës dhe jashtë saj. Sipas këtij projektligji të miratuar nga qeveria, parashikohen edhe rastet kur një vend mund të mos pranojë vendimet e “Arbitrazhit” ndërkombëtar.

Ky vendim vjen pas humbjes së 110 milionë eurove nga ana e Shqipërisë në gjyqin në Arbitrazhin e Bankës Botërore, ndaj biznesmenit Françesko Beketi, të cilit qeveria i konfiskoi ilegalisht televizionin Agon Channel. 

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama pas humbjes së Shqipërisë në “Arbitrazh” ndaj Beketit, tha se Shqipëria do të shqyrtonte tërheqjen nga kjo gjykatë. Sjellim në vëmendje faktin se një tërheqje e mundshme e Shqipërisë nga “Arbitrazhi” ndërkombëtar do të sillte edhe një tërhqje të bizneseve të huaja nga vendi, pasi nuk do të kishte një palë të tretë që do të luante rolin e arbitrit.

“Vendimet e një gjykate arbitrazhi jashtë Republikës së Shqipërisë.

Njohja e vendimit përfundimtar të një gjykate arbitrazhi jashtë Republikës së Shqipërisë bëhet në përputhje me rregullat e përcaktuara në Konventën për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja të Arbitrazhit të Nju Jork-ut, 10 qershor 1958, e ratifikuar nga Republika e Shqipërisë me ligjin nr.8658, datë 9.11.2000, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja të Arbitrazhit””, si dhe Kodin e Procedurës Civile. Shkaqet për refuzimin e njohjes së vendimit përfundimtar të arbitrazhit të një shteti të huaj përfshijnë rastet kur:

a) sipas dispozitave që janë në fuqi në Republikën e Shqipërisë, mosmarrëveshja nuk mund të jetë në juridiksionin e gjykatës së arbitrazhit që ka dhënë vendimin;

b) palët në marrëveshjen e arbitrazhit, në bazë të ligjit të zbatueshëm për to, nuk kishin zotësi të plotë për të vepruar, ose marrëveshja në fjalë nuk është e vlefshme sipas ligjit, të cilit i janë nënshtruar palët ose mungon ndonjë përcaktim sipas ligjit të vendit ku është dhënë vendimi ose palës kundër së cilës jepet vendimi;

c) kërkesëpadia nuk i është njoftuar palës tjetër në mungesë, në mënyrë të rregullt e në kohë, për t’i dhënë atij mundësi që të mbrohet apo nuk i është dhënë njoftimi i rregullt për caktimin e arbitrit ose të procedurës së arbitrazhit ose pala ka qenë e paaftë për të paraqitur rastin e saj;

ç) vendimi trajton një mosmarrëveshje të paparashikuar në marrëveshjen për arbitrazh ose nuk hyn në klauzolën për arbitrazhin ose përmban vendime për çështjet që tejkalojnë fushën që i nënshtrohet arbitrazhit; Megjithatë në qoftë se vendimet për çështje që i nënshtrohen arbitrazhit mund të veçohen nga ato që nuk i janë nënshtruar, ajo pjesë e vendimit, e cila përmban vendime për çështje që i nënshtrohen arbitrazhit, mund të njihet dhe të ekzekutohet;

d) përbërja e autoritetit të arbitrazhit ose e procedurës së arbitrazhit nuk ishte në përputhje me marrëveshjen e palëve ose mungon një marrëveshje e tillë;

dh) gjykata konstaton se: objekti i mosmarrëveshjes nuk mund të zgjidhet me arbitrazh sipas legjislacionit shqiptar; ekzekutimi i vendimit do të ishte në kundërshtim me rendin publik”, thuhet në vendimin e qeverisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco