Shashka e Ramës me daljen nga arbitrazhi/ Iniciativa do të bllokonte raportet me Bankën Botërore e FMN

Shashka e Ramës me daljen nga arbitrazhi/ Iniciativa do të bllokonte raportet me Bankën Botërore e FMN

13:47, 07/04/2023
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama dha një premtim të habitshëm këtë të premte, kur deklaroi se po analizon mundësinë e daljes së Shqipërisë nga juridiksioni i Arbitrazhit Ndërkombëtar, pasi kjo e fundit vendosi të gjobisë qeverinë me 110 milionë euro në përballjen me biznesmenin italian, Françesko Beketi.

Ai tha në një konferencë me gazetarë se “një kriminel i gjykuar dhe i dënuar me 17 vjet burg për mashtrim të shtetit shqiptar, arrin të çajë rrugën në një gjykatë, me të cilën ne do të hapim probleme të mëdha, duke filluar nga java e ardhshme, dhe nga e cila madje po analizojmë edhe daljen fare nga juridiksioni, sepse është skandaloze ajo që ka ndodhur”.
Deklarata e Ramës duket se ka më shumë efekt elektoral para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023 se sa përmban elementë të së vërtetës.

Në vitin 2000, parlamenti ka miratuar ligjin “për aderimin e Shqipërisë në Konventën “Për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja të Arbitrazhit”, të hartuar në vitin 1958 Nju Jork.

Po në vitin 2000, Shqipëria ka miratuar ligjin “Për aderimin në Konventën Europiane mbi Arbitrazhin Tregtar Ndërkombëtar”, të hartuar në Gjenevë, në vitin 1961.

Kushtetuta e Shqipërisë parashikon se Marrëveshjet dhe Traktatet Ndërkombëtar kanë epërsi mbi ligjet shqiptare dhe kanë sipër vetes vetëm Ligjin Themeltar të Shtetit.

Duke shkuar më thellë akoma, në tetor të vitit 1991, kur president ishte ende Ramiz Alia, Shqipëria ka miratuar ligjin “Për anëtarësimin e Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore…”.

Në bazë të atij ligji, i cili vijon të jetë ende në fuqi, Shqipëria njeh në paketë të gjithë detyrimet ndaj këtyre institucioneve financiare ndërkombëtare, përfshirë edhe Gjykatën e Arbitrazhit të Bankës Botërore, ICSID.

Pra, që Edi Rama të vendosë të dalë nga juridiksioni i Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar ICSID, aty ku humbi përballë Beketit, duhet të shkëpusë njëkohësisht marrëdhëniet me Bankën Botërore e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Kjo do të ishte një vetëvrasje jo vetëm politike, por edhe ekonomike për vendin. Ndaj, duket se deklarata e sotme e Ramës se po mendon të nxjerrë Shqipërinë nga juridiksioni i Arbitrazhit Ndërkombëtar ngjan më shumë me një fluskë elektorale, pasi u ngarkua përfundimisht me faturën 110 milionë euro për shkak të luftës së tij personale me Françesko Beketin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco