Rama do të nxjerrë Shqipërinë nga Arbitrazhi - Meta: Anormal, ka dalë nga orbita!

Rama do të nxjerrë Shqipërinë nga Arbitrazhi - Meta: Anormal, ka dalë nga orbita!

12:28, 07/04/2023
A+ Aa A-

Ilir Meta e ka konsideruar anormalitet mendor, “dalje nga orbita” të Kryeministrit Edi Rama, deklaratën më të freskët të tij se po mendon ta nxjerrë Shqipërinë fare nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar, pasi Shqipëria ka humbur edhe gjyqin e fundit radhazi në këtë gjykatë dhe tashmë duhet t’i paguajë gjobën prej 11- milionë eurosh, pronarit të televizionit “Agon Channel.”

I pyetur nga gazetarët sot  pas takimit që zhvilloi në PD, Meta nuk shfaqi habi për deklaratën e Ramës:

“Sigurisht që anormaliteti është kthyer në vijën e sjelljes së tij dhe prandaj Shqipëria është këtu ku është, - tha ai, -  që kryeson listën botërore të azilantëve të paligjshëm që shkojnë drejt Britanisë së Madhe. Shikoni kush kryeson në listën e dhjetëve vendeve: është Shqipëria e para dhe nëntë vende të tjera.

Asnjë vend nga Europa! Janë vetëm vend në gjendje lufte dhe konfliktesh civile dhe kjo vetëm se në Shqipëri qeveris një njeri i papërgjegjshëm që kujton se për të mbrojtur interesin e tij mund ta nxjerrë Shqipërinë edhe nga çdo lloj orbite, ndërkohë që ka dalë vet përfundmisht nga orbita. “

Pjesë nga deklarata e Edi Ramës sot, pas mbledhjes së Qeverisë, i pyetur nga gazetarët për çështjen "Becchetti":

"Së pari, meqë më dolët në këtë temë kaq të dashur për ata që mendojnë se e mira e tyre është e keqja e Shqipërisë dhe që gëzohen sa herë ka një lajm të kësaj natyre, në vend që të revoltohen që një kriminel i gjykuar dhe i dënuar me 17 vjet burg për mashtrim të shtetit shqiptar, arrin të çajë rrugën në një gjykatë -  me të cilën ne do të hapim probleme të mëdha, duke filluar nga java e ardhshme dhe nga e cila madje po analizojmë edhe daljen fare nga juridiksioni, sepse është skandaloze ajo që ka ndodhur -  por, ajo që ka rëndësi sot për ta dëgjuar publiku është se po këta njerëz i kanë thënë publikut para nja dy vjetësh se Shqipëria i ka paguar ato para!"

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco