SYRI TV/ Biznesmeni i arrestuar me Allën mori tendera edhe nga Llatja

09:20, 07/04/2023
A+ Aa A-

Biznesmeni i arrestuar së bashku me kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla, për korrupsion në tendera, ka shtrirë aktivitetin edhe në Elbasan. Teksa Kastriot Ibrahimaj ndodhet në “arrest shtëpie”, kompania e tij ka fituar tender 216 milionë lekë në Elbasan për rikonstruksionin e rrugës në lagjen “11 nëntori”. Kompania e Ibrahimajt ka fituar tenderin me ofertë afër fondit limit, pas skualifikimit nga gara të dy kompanive të tjera

SYRI TV

Teksa kolegu i tij i Bashkisë së Bulqizës, është në burg, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja i ka dhënë një tender të majmë kompanisë, e cila dyshohet se ishte bashkëpunëtore e Lefter Allës në Bulqizë për abuzimin e tenderave publik.

Konkretisht, Gledian Llatja, vetëm pak javë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 14 majit, i ka dhënë plotë 216 milionë lekë kompanisë BE-IS, për të kryer rikonstruksione rrugësh në lagjen “11 Nëntori” në Elbasan.

Kompania fituese është në pronësi të shtetasit Kastriot Ibrahimaj. Ky i fundit, u ndalua gjatë operacionit të SPAK për arrestimin e kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla, pasi kopania e tij, BE-IS, ishte pjesëmarrëse fiktive në tenderat që organizonte Lefter Alla.

Sipas aktakuzës së SPAK, Kastriot Ibrahimaj dyshohet për falsifikim dokumentesh, ndërsa është në masën e sigurisë arrest në shtëpi. Por këto fakte duket se nuk kanë mjaftuar për kryebashkiakun e Elbasanit Gledian Llatja, i cili ka firmosur t`i japë 216 milionë lekë një kompanie, e cila është vënë nën hetim nga SPAK për akuzën e falsifikimit të dokumenteve gjatë pjesëmarrjes në tenderat e Bashkisë Bulqizë.

Madje, tenderi i firmosur nga Gledian Llatja, është me hije të tjera dyshimi, për shkak se nga gara janë skualifikuar dy operatorë të tjerë ekonomikë, teksa një prej tyre kishte dhe ofertën më të ulët ekonomike. Bashkia e Elbasanit ka qenë shpesh në qendër të kritikave, pasi ka dhënë tendera, të cilët janë klasifikuar me flamur të kuq, duke ngritur dyshimet për abuzime. Por deri më tani, nga institucionet ligjzbatuese nuk është bërë publik verifikimi i tenderave të dhënë nga Gledian Llatja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco