Krasniqi: Kurrë nuk jam përfshirë në vrasje, akuzat për LDK janë absurde

Krasniqi: Kurrë nuk jam përfshirë në vrasje, akuzat për LDK janë absurde

10:41, 05/04/2023
A+ Aa A-

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, në fjalën e tij para trupit gjykues, tha se ai “urren dhunën, vrasjen e torturat”, jo sepse ai ka qenë subjekt i dhunës, por sepse “i konsideroj të ulëta”.

“Kushdo që më njeh do t’iu thotë, se unë Jakup Krasniqi, asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, burgosje në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë”, tha ai.

Ai po ashtu tha se nuk e kupton logjikën e aktakuzës së ngritur ndaj tij, duke shtuar se "ndaj popullit tonë është nënshkruar dhunë sistematike".

Jakup Krasniqi i ka quajtur “absurde” akuzat se ai, së bashku me të akuzuarit e tjerë, kanë “persekutuar” anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, siç pretendon prokuroria.

“Është absurde që të akuzohen për persekutimin e anëtarëve të LDK-së. Unë vetë isha anëtar i LDK-së. Familjarët e mi, bashkëluftëtarët e mi ishin anëtarë të LDK-së”, tha ai.

“Vetëm një mendje e çoroditur do të mund të mendonte se jam pjesë e persekutimit tim, të familjarëve të mi”, shtoi ai.

Jakup Krasniqi para trupit gjykues tha se gjatë kohës sa ka qenë zëdhënës i UÇK-së, është përpjekur që përmes deklarimeve të mbajë shpresën te populli për të vazhduar rezistencën.

“Në rolin tim si zëdhënës i UÇK-së jam përpjekur të jap përshtypje se jemi një strukturë e organizuar mirë për të mbajtur shpresë te populli”, tha ai.

Prandaj, Krasniqi tha se “deklaratat e mia duhet të shihen si pjesë e propagandës për të afirmuar luftën tonë çlirimtare”.

Kurse Venkateswari Alagendra, avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit, tha se fakti që prokuroria insiston se në UÇK ka pasur një ndërmarrje të përbashkët kriminale, dhe pretendimi për qëllim të përbashkët kriminal “ishte i njohur dhe publik”, nuk qëndrojnë.

“Kjo i bie që NATO mbështeti një ndërmarrje kriminale të njohur”, tha ajo duke iu referuar bombardimeve të NATO-s që çuan në fundin e luftës në Kosovë.

Alagendra, tha se prokuroria e ka keqinterpretuar rolin e Krasniqit në UÇK dhe gjithë organizimin e kësaj ushtrie.

“Ai nuk ka qenë në një marrëdhënie hierarkike me autorët fizikë të krimeve. Ai nuk kishte aftësi për të kontrolluar në mënyrë efektive ndonjë ushtar”, tha Alagendra.

Sipas saj, prokuroria ka dështuar ta bëjë lidhjen e krimeve të pretenduara me vendndodhjen fizike të Krasniqit nëpër periudha të ndryshme kohore gjatë vitit 1999.

Alagendra deklaroi se “prokuroria duket sikur është bërë pjesë e propagandës kundër UÇK-së”.

“Provat do të tregojnë se organizimi i UÇK-së ishte i ndryshëm në vende të ndryshme dhe kohë të ndryshme”, tha ajo dhe shtoi se UÇK-ja asnjëherë nuk ka pasur një hierarki vertikale të komandës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco