Lajmi i fundit

LIVE/ Protestuesit shkulin gardhin tek bashkia, tensione në protestë

Ministrat e BE-së miratojnë lëvizjen pa viza për Kosovën, ja kur hyn në fuqi vendimi

Ministrat e BE-së miratojnë lëvizjen pa viza për Kosovën, ja kur hyn në fuqi vendimi

13:35, 09/03/2023
A+ Aa A-

Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian kanë miratuar sot vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel. Ministrat e miratuan këtë vendim “në lexim të parë”, pa diskutime, pasi për këtë më herët në takim të ambasadorëve ishin pajtuar përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare.

Sipas këtij vendimi, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Rregullat e reja do t’i lejojnë mbajtësit e pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Ky përjashtim nga kërkesa për vizë do të zbatohet që nga data kur Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) hyn në veprim ose nga 1 janari 2024, cilado që të vijë e para.

Deri vonë ishte besuar se hyrja në fuqi e këtij sistemi do të jetë më 1 nëntor të këtij viti, por ky afat është shtyrë për vitin 2024. Hyrja në fuqi e këtij sistemi vitin që vjen është vendosur si datë e re në faqen zyrtare të sistemit ETIAS. Kur të hyjë në fuqi ky sistem, ata që duan të vizitojnë vendet e BE-së pa viza, duhet paraprakisht të regjistrohen përmes tij, dhe më pas marrin një autorizim i cili është i vlefshëm për tre vjet.

Për këtë, qytetarët do të duhet të paguajnë 7 euro, por ata të moshës nën 18 dhe mbi 70 vjeç mund ta bëjnë falas. Diplomatët në BE thonë se, aktualisht, gjithçka në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën po shkon sipas planit, dhe se afati i hyrjes në fuqi mbetet 1 janari i vitit të ardhshëm.

Burime në BE pohojnë se tashmë nuk shohin ndonjë pengesë në këtë proces, i cili pritet të finalizohet formalisht deri në fund të presidencës suedeze të BE-së, që përfundon më 31 qershor. Vendimi, thonë ata, do të jetë gati për të hyrë në fuqi, nëse jo më herët, atëherë më 1 janar të vitit 2024.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco