Fari Muço: Presidentët, kryeministrat, doganierët... u edukuan nga këta mësues me rroga për mëshirë

Fari Muço: Presidentët, kryeministrat, doganierët... u edukuan nga këta mësues me rroga për mëshirë

12:00, 07/03/2023
A+ Aa A-

“ Ndjehem i privilegjuar që nëpërmjet ekranit tuaj të uroj të gjithë mësuesit, ata që janë në punë sot, nxënësit por edhe mësuesit që janë në pension, të cilët kanë dhënë gjithë jetën e tyre, përkushtimin për këtë profesion të bukur.

Madje, urimin më të bukur unë dëshiroj t’ua bëj nëpërmjet fjalëve të Mehdi Frashërit, i cili thoshte se autoritetet e vërteta të një vendi janë nënat dhe mësuesit! Ndërsa Viktor Hygo thoshte se këshilltarët më të mirë të një shteti janë nënat dhe mësuesit!

Për fat, të dyja festat, 7 dhe 8 Marsi, janë pranë e pranë, pra një urim për të dyja: Gëzuar 7 Marsin, të dashur mësues dhe nxënës, por edhe ju nëna, motra e gra për festën tuaj!”

Me rastin e 7 Marsit, z. Fari Muço, mësues i shumë brezave dhe tashmë në pension, ishte i ftuar i veçantë sot në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV dhe fjalën e tij e nisi me urimin e mësipërm.

Në gjykimin e tij, i pyetur për gjendjen e arsimit në Shqipëri, perspektivën e profesionit dikur të dashur të mësuesit, rënien e interesit të të rinjve për këtë profesion, z. Muço përmendi dy herë fjalët dhimbje, vajtim.

“Më bëtë një pyetje, - i tha ai, moderatorit Flavio Qarri, - pse nuk motivohen sot të rinjtë për të studiuar për mësuesi? - Por po të shikosh situatën e sotshme, pagat e mësuesve janë të ulëta; kur shikon që mësuesit në Roskovec kishin muaj të tërë pa marrë lekët e rrugës ose pagat me vonesë, po të mendosh që qoftë kryeministrat, qoftë presidentët, deputetët, doganierët gjithandej, mësuesit i kanë mësuar - ndodh tani që këta që u mësuan nga mësuesit - kanë llogari bankare, kanë pasuri, kanë prona , rroga marramandëse, kurse mësuesi mbetet me rrogën e tij, aq sa i japin, për mëshirë do të thosha. Por, në fund të fundit janë krenarë, se gjykatat nuk kanë punë me mësuesit, se ata janë të pakorruptueshëm. Janë, besoj, shtresa më imune ndaj korrupsioni deri tani, se ata, shkumësin, fshirësen, librin dhe pasionin kanë.”

“Por a mjafton të jenë vetëm krenarë, z. Muço?!”

“Ah, jo, nuk mjafton, prandaj nuk e lakmojnë profesionin e mësuesit, - u përgjigj mjeshtri i vjetër i mësimdhënies. -  Unë me dhimbje e them që në ato shkolla ku kam punuar ka pasur mbi 300 e ca nxënës. Sot, janë 7-8 nxënës!!! Kjo është e dhimbshme. Dhe studenti që do të vejë mësues, do të shkojë, po çfarë do të mësojë?! Shkollat, më vjen keq ta them, por edhe pse vazhdojnë t’i ndërtojnë të bukura, janë me ferra anash, sepse s’ka lule më, s’ka zogj, s’ka cicërima, s’ka këngë, s’kanë fëmijët, s’kanë gjallërinë. Kjo, të vjen të vajtosh!”, nënvizoi ai./ ar.sh/SYRI.NET

Në vijim, nga intervita e z. Fari Muço në emisionin "Kafe Shqeto".

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco