Tjetër absurditet i 'Rilindjes', Meta: Shqipëria shpopullohet, burgjet mbipopullohen!

Tjetër absurditet i 'Rilindjes', Meta: Shqipëria shpopullohet, burgjet mbipopullohen!

10:10, 10/02/2023
A+ Aa A-

“Shqipëria shpopullohet, por burgjet mbipopullohen.Vetëm qeveria e "Rilindjes" mund ta sillte këtë situatë absurde!” - Kështu e ka komentuar, kryetari i PL, Ilir Meta, shqetësimin e ngritur së fundmi nga Avokati i Popullit për mbipopullimin dhe mungesën e kushteve për të dënuarit në burgun e Elbasanit.

Meta e ka ngritur në vazhdimësi problemin e largimit nga vendi të mijëra familjeve, veçanërisht të brezit të ri për mungesën e perspektivës në vendin e tyre dhe sot, ankimimi që kanë bërë disa të burgosur tek Avokati i Popullit, nuk është tjetër vetëm një dëshmi më shumë që edhe kjo kategori në numër të kufizuar, po përjeton vështirësi në kushtet e qëndrimit, ushqimit dhe mjekimit për shkak të indiferencës dhe mungesës së investimeve nga qeveria.

Në vijim, deklarata e plotë e Avokatit të Popullit.

Image

“Avokati i Popullit përmes Mekanizmit Kombëtar kundër Torturës ka marrë në shqyrtim ankesën drejtuar nga i paraburgosur O. K, në emër edhe të 22 të paraburgosurve të tjerë, që vuajnë dënimin në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Elbasan.

Konkretisht, shqetësimet e të paraburgosurve të ngritura në ankesë, në mënyrë të përmbledhur konsistonin në probleme që lidhen me mbipopullimin e këtij institucioni, kushtet e jetesës në mjediset e tij, shërbimin e pamjaftueshëm shëndetësor, mungesën e barnave, trajtimin ushqimor, kushtet e fjetjes dhe të higjienës personale, shpërblimet për punën e të paraburgosurve si dhe privimit të takimeve me familjarët.

Avokati i Popullit thekson se e drejta e ankimit dhe paraqitjes së kërkesës nga të burgosurit, është një e drejtë e parashikuar në ligjin nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

Avokati i Popullit përsërit me shqetësim të madh problematikat e krijuara në lidhje me mbipopullimin në IEVP Elbasan, por dhe në disa IEVP të tjera. Kjo situatë, pavarësisht rekomandimeve të institucionit të Avokatit të Popullit drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe për çdo IEVP, konstatohet se ato kanë mbetur të paadresuara dhe situata është problematike inspektim pas inspektimi. MKPT në vizitat monitoruese të zhvilluara dy vitet e fundit (2021 dhe 2022) në IEVP Elbasan, ka konstatuar mbipopullim në dhomat e banimit dhe për pasojë janë gjetur edhe persona të flenë me dyshekë (sfungjer) të vendosur në tokë.

Për këtë arsye, pas trajtimit të ankesës së qytetarit të paraburgosur sa më sipër, Avokati i Popullit i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që të marrë sa më shpejt masat e nevojshme për zgjidhjen e situatës së mbipopullimit duke shfrytëzuar kapacitetet e çdo institucioni apo edhe për rishpërndarjen e të burgosurve në IEVP e tjera në mënyrë proporcionale, për të respektuar standardet minimale të kubaturës dhe sipërfaqes së banimit për çdo të burgosur, si dhe garantuar kushtet e jetesës së tyre në këto institucione.

Gjithashtu, Avokati i Popullit ka kërkuar të merren masat e nevojshme: për garantimin e shërbimit shëndetësor të të burgosurve në këtë IEVP; për kryerjen e shpërblimit financiar të të paraburgosurve të punësuar; për furnizimin e rregullt periodik të të paraburgosurve me materiale higjenike dhe detergjentë; për heqjen nga përdorimi të materialeve të fjetjes që janë të dëmtuara dhe të vjetëruara, furnizimin e të paraburgosurve me materiale të reja për fjetje; si dhe për marrjen e masave të nevojshme, për përcaktimin në rregulloren e brendshme të institucionit për mundësinë e zëvendësimit të takimeve fizike të të burgosurve me takime online me persona familjarë, në çdo rast me pëlqimin e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco