‘Dorëheqja’, Zhulali: Veliajt nuk i ka mbetur më asnjë qelizë dinjiteti

‘Dorëheqja’, Zhulali: Veliajt nuk i ka mbetur më asnjë qelizë dinjiteti

13:54, 01/05/2024
A+ Aa A-

Nga Ilda Zhulali/

Në vijim të skandaleve që nuk kanë të sosur në Bashkinë e Tiranës, ka një akt që e ka në dorë vetëm Erion Veliaj: DORËHEQJA!

Por Veliajt nuk i ka mbetur më asnjë qelizë dinjiteti dhe integriteti, ndaj dorëheqja e tij mbetet thjesht një utopi.

Fjala e djeshme në mbledhjen virtuale të Këshillit Bashkiak përbën një provë të fortë publike për aktin tjetër të pritshëm, por që nuk është më vetëm në dorën e Veliajt.

1. Refuzimi i përsëritur i Kryetarit të Bashkisë për të dhënë llogari e sqarime përpara Këshillit Bashkiak, në shkelje të hapur të ligjit, përforcon faktin që ai nuk e njeh Këshillin as si institucion vendimmarrës dhe as si institucion kontrollues e mbikqyrës.

2. Edhe një herë, vërtetoi me zë dhe figurë, se paratë e taksapaguesve të Tiranës i konsideron si buxhet partiak që shërbejnë për ta mbajtur në pushtet me çdo çmim.

3. Edhe një herë, vërtetoi me zë dhe figurë, se shërbimet e Bashkisë i shet si ndere personale, dhe se pronat e Bashkisë i shet si prona vetjake.

4. Edhe një herë, vërtetoi me zë dhe figurë, se ai jo vetëm ka dijeni, por është i përfshirë drejtpërdrejt në këto pazare, dhe i përdor herë për të joshur, e herë për presion dhe shtantazh.

5. Edhe një herë, vërtetoi me zë dhe figurë, se mund të mashtrojë publikisht pa ndier asnjë grimë përgjegjësie publike dhe ligjore.

6. Edhe një herë, vërtetoi me zë dhe figurë, se organet e drejtësisë i konsideron si pjesë të organizatës politike, me funksion amnistimin ose ndëshkimin sipërfaqësor të krimeve rilindase.

7. Në fjalën e tij toksike Erion Veliaj dje shau, ofendoi dhe volli vrer ndaj gjithkujt, PËRVEÇ bashkëpunëtorëve të organizatës 5D dhe të incineratorit fantazëm të Tiranës, të cilët i ka ose në burg ose në arrati të kapur në vjedhje dhe korrupsion të paimagjinueshëm. Pra edhe një herë, me zë dhe figurë, vërtetoi se vjedhja dhe korrupsioni nuk janë aksidente të sistemit të tij qeverisës, por janë vetë sistemi acid që ka funksionuar me devizën “të gjithë për një e një për të gjithë”.

Është detyrë e çdo qytetari të bashkohet në protestë kundra këtij sistemi acid që ka detyruar qindra mijëra shqiptarë të largohen nga vendi!

Të martën, ora 11, protestojmë përpara Bashkisë, kundra modelit qeverisës së Erion Veliajt! 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco