Skandali Rama-McGonigal/ Ish-agjentja e FBI flet për VOA: Dikush brenda grupit ka folur, ja pse u kap vonë ky rast

Skandali Rama-McGonigal/ Ish-agjentja e FBI flet për VOA: Dikush brenda grupit ka folur, ja pse u kap vonë ky rast

20:26, 07/02/2023
A+ Aa A-

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish-agjentja speciale e Byrosë Federale të Hetimeve, Coleen Rowly, flet mbi rastin e ish zyrtarit të lartë të kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, i cili ditë më parë u arrestua nga autoritetet amerikane nën dyshimet se ka ndihmuar oligarkun rus, Oleg Deripaska, në shkelje të sanksioneve amerikane.

Ai dyshohet edhe se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve shqiptare të zbulimit dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri.

Sipas ish-agjentes Rowly, zoti McGonigal synonte që pas daljes në pension të pasurohej përmes lobimit për interesa të huaja.

Ish-agjentja Rowly është një sinjalizuese e njohur për publikun amerikan. Në vitin 2002 ajo ka dëshmuar para Senatit mbi problemet e thella me të cilat përballej FBI-ja dhe në përgjithësi agjencitë e zbulimit.

Revista Time e shpalli atë, së bashku me dy sinjalizues të tjerë, si personin e vitit më 2002, për shkak të dëshmisë së saj se FBI kishte injoruar informacionet lidhur me veprimtaritë e dyshuara të një personi në Minesota, aty ku zonja Rowly punonte si agjente e FBI-së. Personi në fjalë, Zacarias Moussaoui, më pas ishte një prej rrëmbyesve të avionëve të sulmit të 11 shtatorit.

Ajo tha se çështja e McGonigal është e komplikuar. Sipas saj, çështja filloi vitin e fundit, përpara se McGonigal të dilte në pension.

“Janë dy padi të ndryshme, është një rast i ndërlikuar. Ai akuzohet në Uashington për udhëtimet në vitin e fundit të karrierës së tij në Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë për takime me zyrtarë qeveritare, takime të cilat nuk i raportoi në formularin e zyrës së etikës.

Formularët janë krijuar për të parandaluar konfliktin e interesit. Duke mos raportuar udhëtimet, pagesat ose huat, ai po fshihte fakin që ishte duke krijuar një rrjet kontaktesh, përmes të cilave mund të pasurohej,” tha ajo.

“Nuk është e qartë nëse ai e kuptonte se sa gabim ishe ai, por pasi doli në pension ai vazhdoi dhe është e qartë se ka njerëz të pasur, oligarkë dhe miliarderë në botë të gatshëm të paguajnë. Njerëz me ndikim si ai, janë gati të punojnë për këta miliarderë.

Nuk mendoj se situata e tij është unike, përveç faktit që u kap. Është shumë e vështirë të zbulosh korrupsionin mes punonjësve publikë. Por ka disa mënyra se si mund të zbulohet. Ai që paguan ryshet është i lumtur që po realizon synimin e tij, ai që merr paratë po pasurohet, prandaj nuk flasin.

Por ndonjëherë ndodh, që dikush i përfshirë në korrupsion, në nivel të ulët, mund të kapet dhe jo se i kthehet ndërgjegjja, por detyrohet të ekspozojë nivelet e larta”.

“Mendoj se McGonigal ia hodhi për një kohë. Formularët e zyrës së etikës duket se nuk shqyrtohen mirë. Dokumentet dorëzohen në mënyrë elektronike. Duket se nuk analizohen për të parë çfarë përmbajnë, për të parë nëse deklarimet janë të vërteta, që ato vendet dhe njerëzit me të cilët është takuar. Nuk mendoj se ka hetime për këto. Mendoj se McGonigal është kapur më vonë, sipas të gjitha gjasave sepse dikush në atë grup ka folur ose është kapur nga autoritetet. Pastaj FBI e ka marrë në pyetje dhe ai ka folur. Kjo ka çuar në kontrollin e formularëve”.

“Shumica e akuzave ndaj tij për periudhën para largimit nga FBI kanë të bëjnë me lidhjet e tij me Shqipërinë, Bosnjen dhe interesa të tjera të huaja për të cilat ai kishte gënjyer,” tha ish-agjentja.

Por ajo nuk është e sigurt nëse ky rast i korrupsionit do të bëjë që Uashingtoni të nxjerrë mësime.

“Por nuk jam e sigurt nëse njerëzit në Uashington do të nxjerrin mësime nga korrupsioni i zyrtarëve publikë. Ndoshta është i nevojshëm një tjetër mision i fshehtë, që të shënjestrojë një numër të madh njerëzish me pushtet”.

“Sa i përket asaj që mund të ndodhë, mendoj se tani ndoshta ka dëshmitarë bashkëpunues dhe supozimi është se pasi avokatët të shohin provat, ai mund të pranojë fajësinë për disa akuza më të lehta. Do të befasohesha nëse ai do të dënohej me burg për një kohë të gjatë. Mendoj se deklarimet e rreme në formularët e etikës dënohen me pesë vite. Pra, nëse ai pranon fajësinë për një ose dy prej tyre, mund të dënohet me ndoshta dy deri në pesë vite, ose gjashtë vite burg. Do habitesha nëse do dënohej më shumë”, tha ish-agjentja speciale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco