SYRI TV/ Transparency: Shqipëria, asnjë përparim kundër korrupsionit

11:09, 31/01/2023
A+ Aa A-

Shqipëria është ndër 3 vendet më të korruptuara në Evropë edhe pse vitet e fundit janë investuar miliona euro për reforma dhe luftë kundër korrupsionit. Shqipëria ruan të njëjtin pozicion në raportin më të fundit të Transparency International, duke u renditur në vendin e fundit në Europë së bashku me Bosnje Hercegovinën dhe Serbinë. Një tjetër aspekt në përkeqësim, që theksohet në Raport është liria e medias

SYRI TV

Shqipëria është ndër 3 vendet më të korruptuara në Europë dhe ndër më të korruptuarat në botë. Edhe pse prej vitesh janë investuar miliona euro për reforma në sistemin e drejtësisë apo administratës, duket se ato kanë dështuar pasi niveli i korrupsionit nuk ka përmirësim, ose përmirësimi është i papërfillshëm.

Raporti më i fundit i Transparency International e rendit Shqipërinë në vendin e 101 nga 180 vendet e analizuara në rang global. Shteti më i korruptuar në Europë është Bosnjë Hercegovina, me një tregues prej 34 pikësh, e pozicionuar në vendin e 110 dhe bashkë me të, si më të korruptuarat në Europë, renditen Shqipëria, Serbia dhe Turqia.

Shqipëria kishte një tregues prej 36 pikësh, me rritje prej një pikë, nga 100 pikë që është vlerësimi maksimal, por kjo nuk ka ndikuar në raportin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, duke e vënë theksin edhe në përkeqësimin e lirisë së medias. 

“Progresi i këtij regjimi hibrid në fusha si verifikimi gjyqësor dhe forcimi i Strukturës së Specializuar Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është lënë në hije nga dobësimi i pavarësisë së medias dhe mungesa e mundësive për angazhim kuptimplotë në vendimmarrje nga shoqëria civile. Vazhdojnë fushatat shpifëse dhe frikësimi kundër gazetarëve dhe, nëse miratohen, ndryshimet në ligjin për lirinë e informimit do të ngushtojnë më tej mundësitë për mbikëqyrje të pavarur të institucioneve publike, duke u ofruar institucioneve baza ligjore për refuzimin e ndarjes së informacionit”.

Por ndryshe nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut ka shënuar përmirësim në luftën kundër korrupsionit, duke u ngjitur në vendin e 85 me 40 pikë. Edhe Kosova është e renditur disa herë më mirë se Shqipëria duke mbajtur vendin e 84, me 41 pikë. Shteti më pak i korruptuar në rajon është Mali i Zi, me 45 pikë, në vendin e 65.

Në botë, rekordin për nivelin më të ulët të korrupsionit e ka marrë Danimarka, duke zhvendosur Finlandë dhe Zelandën e Re, të cilat po ashtu janë në krye të listës si vendet më pak të korruptuara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco