'Me BE-në apo me Putinin?' BILD: Serbia para ultimatumit, pritet kthesë historike në konfliktin me Kosovën

'Me BE-në apo me Putinin?' BILD: Serbia para ultimatumit, pritet kthesë historike në konfliktin me Kosovën

12:15, 27/01/2023
A+ Aa A-

Nga Marc Oliver Ruehle, BILD

A është kjo pika e kthesës në konfliktin e Kosovës?

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka treguar se mund të pranojë planin e fundit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Kjo sepse negociatorët perëndimorë e kanë vendosur ata përpara zgjedhjes, ose të pranojë planin, ose të marrë përsipër pasojat: ndërprerjen e negociatave të anëtarësimit në BE dhe investimeve të huaja.

“Nëse zgjedhja do të jetë mes sanksioneve- dhe sanksioni më i keq është tërheqja e investimeve- dhe pranimit të marrëveshjes, që nënkupton anëtarësimin e Kosovës në OKB, atëherë unë jam për kompromis, sado i diskutueshëm të jetë ai,” deklaroi papritur Vuçiç të hënën në mbrëmje gjatë një konference për shtyp, e cila u transmetua drejtpërdrejt në televizionin serb.

E thënë më qartë: Vuçiçit i është sinjalizuar se Serbia ose duhet të normalizojë marrëdhëniet e saj me Kosovën, ose vendi i tij do të përballet me masa që do shkaktonin ‘dëme të mëdha’.

Serbia e ‘izoluar’ pa BE-në

Në një takim me përfaqësuesit e BE-së, SHBA, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, Vuçiçit iu prezantua një plan i ri ndërmjetësimi.

Atij iu vendos një ultimatum, duke iu kërkuar që të pajtohej me këtë propozim.

Megjithatë, presidenti serb nuk ka dhënë asnjë informacion për përmbajtjen e propozimit të Perëndimit, por ka theksuar se Serbia do të jetë e izoluar pa BE-në.

Plani franko-gjerman u bë i njohur në vjeshtën e vitit të kaluar dhe nuk u publikua kurrë zyrtarisht. Por pikat kryesore të tij janë të njohura:

-Ndër të tjera, parashikohet që përderisa Serbia dhe Kosova nuk e njohin njëra-tjetrën zyrtarisht, duhet të pranojnë reciprokisht ekzistencën e tyre shtetërore brenda kufijve aktualë.

-Serbia rrjedhimisht duhet të heqë dorë nga përpjekjet për të ndaluar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare- me ndihmën aktive të Rusisë.

“Nuk ka dyshim se ne e mbështesim anëtarësimin e Kosovës në OKB, por ne do të pranonim de facto anëtarësimin e saj,” tha Vuçiç.

Eksperti: Putini do të ishte një nga humbësit e paktë

Nëse fjalët e Vuçiçit do të kthehen në vepra, kjo do të ishte vërtet një pikë kthese në politikën e Serbisë ndaj Kosovës, e cila deri më tani është bazuar në nacionalizmin serb. “Situata gjeopolitike ka ndryshuar,” tha presidenti serb.

Për shkak të luftës së agresionit rus kundër Ukrainës, ka ‘nervozizëm në Evropë’. “Aventurat në oborrin e shtëpisë” nuk do të tolerohen më.

“Nëse në fakt ka një kthesë nga minimi sistematik i mëparshëm i shtetësisë kosovare, atëherë kjo do të jetë një humbje serioze për Rusinë dhe përpjekjet e saj destabilizuese në Ballkan,” shpjegon për BILD eksperti i Ballkanit, Konrad Clewing.

Ai shton: “Putini atëherë do të ishte një nga të paktët humbës të kësaj kthese të mundshme”.

Të hënën në mbrëmje, Vuçiç theksoi se nuk ka vendosur ende asgjë. Në fund, fjalën e fundit do e ketë parlamenti serb ose ‘ndoshta populli’.

Fakt është e plani franko-gjerman prej kohësh është bërë plan i BE-së, i cili mbështetet edhe nga pesë shtetet anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën: Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

“Aktorët perëndimorë me të vërtetë kanë bërë presion mbi Vuçiçin këtë herë se veprimet dhe qëndrimet serbe ndaj Kosovës nuk mund të jenë më të pandëshkueshme, duke pasur parasysh stabilitetin e brishtë pan-evropian që buron nga Rusia,” tha Clewing.

Ndoshta me sukses historik!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco