'Kosova nuk bosnjizohet'/ Isa Mustafa: Asociacioni të themelohet pa cenuar rendin Kushtetues

21:07, 28/11/2022
A+ Aa A-

Isa Mustafa thotë se Kosova nuk ka rrezik të bosnjizohet në rast të krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. 

Çim Peka Live, Mustafa shprehet se forma e bashkëpunimit të komunave duhet të realizohet siç është parashikuar në paketën Ahtisari. 

Por, shton ai, duhet kujdes që kërkesat e serbëve të mos jenë përtej asaj që është parashikuar në marrëveshjen e vitit 2013. 

Isa Mustafa: Jo, unë jam dakord që të themelohet sepse ajo çfarë është në marrëveshjen e parë dhe ajo që ka shqyrtuar Gjykata Kushtetuese ofron mundësi që ai asociacion të themelohet dhe mos ta prekë fare, rendin kushtetues të Kosovës. Që të jenë një formë e bashkëpunimit të komunave, siç është parashikuar me dokumentin Ahtisari, sepse ai dokumenti i ka vënë bazat e bashkëpunimit mes komunave dhe mundësive të themelimit të asociacioneve të tilla. Por duhet të kihet kujdes tani, sepse në këtë periudhë kërkesat e serbëve do të jenë më të mëdha, do të shkojnë jashtë asaj çfarë asociacioni është parashikuar në vitin 2013 dhe parimet e asociacionit janë vendosur në vitin 2015. Në këtë aspekt, nuk shikoj fare frikë që do të bosnjizohet Kosova me asociacionin. Në asnjë rast Kosova nuk barazohet me Bosnjen, sepse atje pjesëmarrja e popullit serb është shumë e madhe dhe territori i Republika Srpska është shumë më i madh se 4 komuna, apo 10 komuna me shumicë serbe në Kosovë.

Pjesë nga intervista

Peka: Kalojmë të pjesa më kritike, jo vetëm e qeverisë Kurti, por e gjithë Kosovës, Negociatat me Serbinë dhe partneriteti me aleatët. Albin Kurti po refuzon të zbatojë jo vetëm marrëveshjen për asociacionin, por po u thotë jo disa herë edhe kërkesave të partnerëve kryesorë, siç janë SHBA. E megjithatë, Kurti po refuzon të firmosë diçka që e ka premtuar në opozitë, diçka që ka qenë kundër saj, kur e firmosur kryeministri Thaçi dhe kur keni shtuar edhe ju e ka marrë edhe firmën tuaj, siç është rasti i asociacionit. Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë. Ka të drejtë Albin Kurti, apo keni pasur ju.
Mustafa
: Jo, tani unë mendoj se Gjykata Kushtetuese nuk e ka hedhur poshtë marrëveshjen për Asociacionin. Gjykata ka trajtuar dokumente për trajtimet thelemore për zbatimin e asociacionit, që unë e kam nënshkruar në vitin 2015 në Bruksel. Presidenti atëherë e dërgoi atë dokument në Kushtetuese dhe ajo konstatoi se disa pjesë të dokumentit nuk janë në frymën e Kushtetutës, sidomos ato që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e njeriut dhe ata që kanë të bëjnë me komunitetet.

Peka: Ju po thoni se në 2015, Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë firmat që keni hedhur ju në marrëveshje.
Mustafa
: Nuk i ka hedhur poshtë, por ka thënë se disa pjesë të kësaj marrëveshje nuk janë në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Dhe Gjykata konstaton në atë gjykim se, asociacioni duhet të themelohet. Kështu thotë Gjykata Kushtetuese, duhet të themelohet në bazë të marrëveshjes së miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013. Që do të thoshte se Kushtetuesja konstaton se ai duhet të themelohet dhe jo që nuk duhet, siç thotë Albini dhe Vjosa. Gjithashtu konstaton se me një përmbledhje se statuti i asociacionit duhet ti dorëzohet Gjykatës Kushtetuese në shqyrtim dhe çdo ndryshim tjetër i këtij statuti duhet të trajtohet nga kjo gjykatë, ashtu siç qëndron në marrëveshjen e vitit 2015. Në këtë marrëveshje në 2015 ne kemi futur Gjykatën Kushtetuese si arbitër të asociacionit dhe kemi thënë se nuk mund të themelohet asociacioni, nëse më parë nuk e trajton kjo gjykatë, dokumentin themelues të asociacionit ose më vonë çdo ndryshim apo plotësim që mund të bëhet nga Kuvendi i asociacionit, duhet ti shkojë Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim e aprovim.

Peka: Pra ju po thoni se Kushtetuesja ka vendosur se asociacioni duhet të themelohet, por statutin e tij duhet ta shikojë kjo gjykatë?
Mustafa
: Po, ashtu është vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Nuk është vendimi i gjykatës ashtu siç po e theksojnë edhe zonja Osmani dhe zoti Kurti.

Peka: Vazhdon Isa Mustafa ti qëndrojë idesë se Kosova ka nevojë për asociacionin. Pra nuk e dëmton Kosovën, nuk e kthen në një dosje të dytë?
Mustafa
: Tani unë nuk jam i sigurtë se si do të shprehet asociacioni nesër në sistemin shtetëror të Kosovës. Por jam i sigurtë se Kosova në vitin 2013 ka marrë një detyrim ndërkombëtar, sepse ka ratifikuar në Kuvend një marrëveshje e cila ka marrë cilësinë e marrëveshjes ndërkombëtare. Me ligjet dhe kushtetutën tonë, çdo marrëveshje ndërkombëtare pas shpalljes në Fletoren Zyrtare bëhet ligj i detyrueshëm për Kosovën.

Peka: Marrëveshje ndërkombëtare nëpërmjet kujt?
Mustafa
: Marrëveshje ndërkombëtare mes Kosovës dhe Serbisë...

Peka: Marrëveshje ndërkombëtare ndërmjet Thaçit dhe ju dhe Serbisë...
Mustafa
: Atëherë nuk kam qenë unë, ka qenë vetëm Thaçi...

Peka: Po jeni i saktë. Por zoti Kurti në të drejtën e tij, ka pretenduar atëherë dhe sot, se kjo marrëveshje ndërkombëtare e cenon Kosovën dhe integritetin territorial të Kosovës. Pyetja ime për ju është; a jeni dakord ju që të formohet asociacioni dhe a mund ta rrezikojë që Kosova të kthehet në një Bosnje të dytë?
Mustafa:
Jo, unë jam dakord që të themelohet sepse ajo çfarë është në marrëveshjen e parë dhe ajo që ka shqyrtuar Gjykata Kushtetuese ofron mundësi që ai asociacion të themelohet dhe mos ta prekë fare, rendin kushtetues të Kosovës. Që të jenë një formë e bashkëpunimit të komunave, siç është parashikuar me dokumentin Ahtisari, sepse ai dokumenti i ka vënë bazat e bashkëpunimit mes komunave dhe mundësive të themelimit të asociacioneve të tilla. Por duhet të kihet kujdes tani, sepse në këtë periudhë kërkesat e serbëve do të jenë më të mëdha, do të shkojnë jashtë asaj çfarë asociacioni është parashikuar në vitin 2013 dhe parimet e asociacionit janë vendosur në vitin 2015. Në këtë aspekt, nuk shikoj fare frikë që do të bosnjizohet Kosova me asociacionin. Në asnjë rast Kosova nuk barazohet me Bosnjen, sepse atje pjesëmarrja e popullit serb është shumë e madhe dhe territori i Republika Serpska është shumë më i madh se 4 komuna, apo 10 komuna me shumicë serbe në Kosovë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco