VIDEO-SYRI TV/ Zoto merr 75 milionë lekë të tjera nga shteti, qeveria injoron hetimet e SPAK-ut

13:19, 18/11/2022
A+ Aa A-

Edhe pse bosi i inceneratorëve, Klodian Zoto është në arrati dhe akuzohet per aferën korruptive me djegësat, Edi Rama nuk i ndal pagesat ndaj tij. 75 milionë lekë të vjetra ka paguar Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve për kompaninë kryesore te Zotos, “Integrated Technology Service”, për punimet e kryera në landfillin e Vlorës

SYRI TV

Qeveria nuk ndal për asnjë moment pagesat për Klodian Zoton, megjithëse biznesmeni i plehrave vijon prej rreth një viti në arrati, pasi akuzohet për skandalin gjigant financiar të inceneratorëve.

Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizime ka paguar këtë të enjte një faturë me vlerë 75 milionë lekë të vjetra për kompaninë kryesore të Zotos, “Integrated Technology Service”. Ky transaksion është shoqëruar me shënimin për punimet e kryera në landfillin e Sheristës, në Vlorë.

Kompania e Klodian Zotos dhe një shoqëri italiane fituan në qershor 2020 kontratën me vlerë 10 milionë euro për ndërtimin e vend-depozitimit të mbetjeve në periferi të qytetit bregdetar. Procedurat dhe gjithçka tjetër që lidhet me atë tender vijojnë të mbahen sekret nga ana e qeverisë shqiptare.

Kontrata parashikonte që landfilli të përfundonte brenda një viti. Por, kur kanë kaluar më shumë se dy vite, landfilli i Sheristës ende nuk ka mbaruar, ndërkohë që institucionet qeveritare vijojnë të paguajnë pa pushim miliona për kompaninë private.“Integrated Technology Service” është vendosur nën sekuestro nga Prokuroria Speciale, në dhjetor të vitit 2021, ndërkohë që pronari i saj është shpallur në kërkim, pasi konsiderohet si një prej personave kyç në aferën e inceneratorëve.

Pak ditë më parë, SPAK-u njoftoi arrestimin e 11 personave të tjerë për këtë skandal. Në njoftimin zyrtar përmendej fakti që Ministria e Infrastrukturës ka vijuar deri në qershor 2022, që të kryejë pagesat për kompanitë koncesionare të Zotos, të cilat fituan kontratat për inceneratorin e Elbasanit dhe të Fierit.

Megjithatë, në njoftimin e SPAK-ut nuk kuptohej nëse ky detaj ishte shkelje nga ana e institucioneve apo ishte thjesht një zhvillim rutinor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco